Ballina Bota Shërbimi sekret rus trondit botën, si u parandaluan sulmet terroriste me dron...

Shërbimi sekret rus trondit botën, si u parandaluan sulmet terroriste me dron gjatë Botërorit

Përfaqësues të lartë të forcave të sigurisë në Rusi kanë konfirmuar sot se ata kanë parandaluar sulme terroriste me dronë gjatë Botërorit 2018 që u zhvillua në këtë vend gjatë verës.

Drejtori për Shërbimet e Sigurisë Federale në Rusi, Aleksander Bortnikov, e konfirmoi këtë në një takim me agjencitë e sigurisë në vend gjatë ditës së sotme.

Ai bëri të ditur se agjentët e FSB kishin zbuluar 7 grupe që planifikonin sulme ndaj fansave të huaj që kishin udhëtuar drejt Rusisë për të ndjekur aktivitetin.

Ai pohoi gjithashtu se këto sulme ishin ndalur falë edhe bashkëpunimit me agjenturat e huaja.

“Një shembull i mirë i bashkëpunimit ndërkombëtar është edhe zhvillimi i Kupës së Botës në Rusi gjatë këtij viti. Falë përpjekjeve të përbashkëta u bë i mundur parandalimi i sulmeve terroriste”, deklaroi ai në këtë mbledhje.

Para fillimit të Botërorit kishte vazhdimisht frikë se mos aktiviteti në Rusi do të ishte vatër e sulmeve terroriste, sepse kishte pasur vazhdimisht kërcënime nga elementë radikalë.

Por gjatë aktivitetit nuk ndodhi asnjë incident domethënës dhe gjithçka shkoi shumë normalisht, pasi shteti rus kishte vendosur në punë të gjithë aparatin e tij të sigurisë për të evituar probleme.