Ballina Kryesore Shtëpitë me kredi të butë, ja afati i fundit se kur mund...

Shtëpitë me kredi të butë, ja afati i fundit se kur mund të dorëzoni dokumentacionin

Të gjithë qytetarët që janë shpallur fitues në fazën e parë të aplikimit për kreditë e buta në kryeqytet kanë mundësinë të dorëzojnë dokumentacionin e vlefshëm deri në 17 gusht të këtij viti.

Është zbardhur vendimi i Bashkisë së Tiranës mbi fazën e dytë të programit social “Subvencionimi i interesave të kredisë”.

“Fituesit e fazës së parë duhet të dorëzojnë dokumentet nga data 16.07.2018 deri më 17.08.2018 pranë sektorit të Informimit dhe Shërbimeve për Qytetarët në Bashkinë Tiranë”, – theksohet në njoftim.

Kështu, qytetarët aplikues duhet të tregojnë shumë kujdes, pasi nëse nuk dorëzojnë dokumentacionin brenda afatit të përcaktuar, humbasin mundësinë për të fituar shtëpinë me kredi të butë. Bashkia e Tiranës bën me dije se nuk do të ketë një fazë tjetër për dorëzimin apo pranimin e dokumentacionit.

Përfituesit
Ky program u vjen në ndihmë të gjitha çifteve të reja, të cilat kanë një nivel të caktuar të ardhurash nga punësimi dhe dëshirojnë të blejnë një shtëpi, por e kanë të pamundur të përfitojnë një kredi me kushtet e tregut.

Kështu, Bashkia e Tiranës u subvencionon interesat e kredisë. Për të përfituar nga programi i “Subvencionimit të Interesave të Kredisë”, aplikuesit duhet të plotësojnë disa kritere, ku më kryesoret janë: Familjet që zotërojnë të ardhura brenda kufijve të përcaktuar, individët të cilët në momentin e paraqitjes se kërkesës kanë mbushur moshën 18 vjeç, familjet të cilat në momentin e paraqitjes së kërkesës nuk kanë në pronësi një banesë si dhe familjet që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit.

Dokumentet e plota
Këtë vit janë plot 500 qytetarë që do të shpallen fitues dhe do të përfitojnë nga programi social “Subvencionimi i interesave të kredisë”. Personat që kaluan fazën e parë duhet të dorëzojnë pranë Zyrës së Pritjes me Qytetarin në Bashkinë e Tiranës dokumentacionin e nevojshëm që vërteton deklarimin dhe vërtetësinë e plotësimit të formularit të strehimit, në bazë të të cilit janë përzgjedhur fitues.

LEXO EDHE:  Miratohet buxheti 2018 për Bashkinë e Tiranës, ja sa taksa do të paguajnë kryeqytetasit

Respektivisht kandidatët duhet të dorëzojnë: formularin e strehimit, certifikatën e lindjes së aplikantit dhe certifikatën e gjendjes familjare, vërtetim të vendbanimit në bashkinë ku kërkohet vendstrehimi, vërtetim i të ardhurave neto të familjes apo individit, vërtetimin e punësimit si dhe dokumentin për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë anëtarët e punësuar në familje.

Gjithashtu, aplikantët duhet të paraqesin pranë Zyrës së Pritjes me Qytetarin në Bashkinë e Tiranës edhe vërtetimin nga Zyra e Ndihmës dhe Përkujdesjes, vërtetim nga Zyra e Punës për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë, vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension, dokumentin zyrtar të celebrimit dhe certifikatat personale, vërtetim nga ZRPP se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis që mund të përdoret si e tillë, vërtetim nga ZRPP për sipërfaqen e pronës që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, vërtetim nga ZRPP të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë; vendimin e gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara.

Ndërkohë, qytetarët duhet të dorëzojnë edhe një vërtetim për librezën e jetimit për individët me këtë status, vërtetim nga komisioni mjekësor për përcaktimin e aftësisë së kufizuar, për individë me aftësi të kufizuara; dokument për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe azilkërkues; dokument për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Policisë së Burgjeve etj.; dokument për viktimat e dhunës në familje si dhe një deklaratë noteriale që lëshohet nga kryefamiljari, që shprehet se është dakord që kredia të lëvrohet për aplikantin që rezulton i përfshirë në formularin e strehimit.

LEXO EDHE:  "Dita pa makina" në kryeqytet: Veliaj prezanton "flotën" e tij të parë

Dokumentacioni që duhet dorëzuar:

1. Formulari i Strehimit i plotësuar pranë njësisë administrative në të cilën aplikanti ka vendbanimin.
2. Certifikata e lindjes e aplikantit dhe certifikata e gjendjes familjare.
3. Vërtetimi i vendbanimit në bashkinë ku kërkohet vendstrehimi, ose leje banimi për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.
4. Vërtetimi i të ardhurave neto të familjes/individit.
5. Dokumenti përkatës nga punëdhënësi (vërtetim punësimi), për detyrën dhe të ardhurat e aplikantit dhe të personave të tjerë të familjes që janë në marrëdhënie pune.
6. Dokumenti nga organet tatimore dhe nga sigurimet shoqërore për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë anëtarët e punësuar në familje.
7. Vërtetimi nga Zyra e Ndihmës dhe Përkujdesjes pranë njësive të qeverisjes vendore për anëtarë, të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar.
8. Vërtetimi nga Zyra e Punës e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë.
9. Vërtetimi nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.
10. Dokumenti zyrtar i celebrimit dhe certifikatat personale, për efekt të llogaritjes së moshës, për çiftet e reja.
11. Vërtetimi nga ZRPP se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis që mund të përdoret si e tillë.
12. Vërtetimi nga ZRPP për sipërfaqen e pronës që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat në fuqi për strehim.
13. Vërtetimi nga ZRPP të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi, për të gjithë anëtarët e familjes.
14. Vendimi i gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara, shoqëruar me vërtetimin nga zyra e përmbarimit për masën e pensionit që përfitojnë për fëmijët.
15. Vërtetimi përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit.
16. Vërtetimi nga komisioni mjekësor për përcaktimin e aftësisë së kufizuar, për individë me aftësi të kufizuara.
17. Dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe azilkërkues.
18. Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Policisë së Burgjeve etj.
19. Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse për viktimat e dhunës në familje. Urdhri i mbrojtjes i lëshuar nga gjykata e rrethit gjyqësor, seksioni familjar (fotokopje e njehsuar me origjinalin). Vërtetim nga strukturat e shërbimit social, qendrave sociale dhe rehabilitimit për viktimat e dhunës pranë njësive të qeverisjes vendore.
20. Deklaratë noteriale që lëshohet nga kryefamiljari, i cili shprehet se është dakord që kredia të lëvrohet për aplikantin që rezulton i përfshirë në formularin e strehimit. /gsh

LEXO EDHE:  VIDEO/ Skiatorët kuq e zi në Kore, ja kalimi përshëndetës i shqiptarëve pëfaqësues në lojërat olimpike

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook