Ballina Aktualitet SKANDALI/ “Zhulsa, qafë palarë”, zbardhet vendimi i Drejtorisë Arsimore për mësuesen që...

SKANDALI/ “Zhulsa, qafë palarë”, zbardhet vendimi i Drejtorisë Arsimore për mësuesen që rrihte nxënësit me shkop

Një ditë pas publikimit të video-skandalit, ku një mësuese në fshatin Zharrëz të Fierit keqtrajtonte nxënësit dhe përdorte ndaj tyre fjalor fyes dhe denigrues, Drejtoria Arsimore e këtij qyteti ka vendosur pezullimin e saj nga detyra.

Gjithashtu, e gjithë puna e këtij institucioni është vënë nën monitorim, ndërkohë që janë dërguar edhe psikologë për t’u kujdesur për gjendjen e nxënësve në shkollë.

Deklarata e DAR Fier
Drejtoria Arsimore Rajonale Fier nëpërmjet emisionit investigativ “Fiks fare” u informua mbi sjelljen gjatë një ore mësimi të mësueses së klasës së dytë të shkollës “Sotir Çapo” Zharrëz, Bashkia Patos, Juliana Dine.
Ne shprehim indinjatën tonë institucionale për gjuhën e përdorur nga mësuesja në komunikim me nxënësit dhe me prindërit e tyre. Ky qëndrim i mësueses, pavarësisht se ne mendojmë që është një rast i izoluar, është i papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me punën e madhe që bëhet çdo ditë nga mësuesit dhe
drejtuesit e përgjegjshëm në institucionet tona arsimore dhe nga të gjitha institucionet përgjegjëse për arsimin.

Drejtoria e shkollës “Sotir Çapo” Zharrëz, referuar akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, ka marrë sot masën disiplinore “pezullim nga detyra” dhe fillimin e procedurave disiplinore për largimin nga puna për mësuesen Juliana Dine.

Gjithashtu DAR Fier ka urdhëruar monitorim të plotë të punës menaxhuese dhe mësimore në këtë institucion arsimor. Po kështu kemi dërguar një grup të shërbimit psiko-social për të trajtuar dhe ndjekur nga afër gjendjen psiko-sociale të çdo nxënësi të kësaj klase, si edhe për të komunikuar me çdo prind të klasës për të evidentuar nëse ka pasur raste të mëparshme dhe të përsëritura dhune fizike ose
psikologjike tek nxënësit.

LEXO EDHE:  Meta vlerëson Nishanin nga Presidenca, ja kush mori pjesë në ceremoninë zyrtare (FOTO)

DAR Fier falënderon emisionin investigativ “Fiks fare” për denoncimin e këtij rasti dhe të çdo fenomeni tjetër dhune psikologjike apo fizike ndaj nxënësve, duke dhënë një kontribut të çmuar për të krijuar tek stafet pedagogjike një frymë dhe mendësi pune, kulture dhe respekti për çdo nxënës dhe prind.

Ju bëjmë thirrje të përsëritur drejtorëve të shkollave, shërbimit psiko-social, mësuesve të institucioneve arsimore të qarkut Fier, të tregojnë profesionalizëm, shërbim arsimor korrekt ndaj nxënësve dhe qëndrim qytetar ndaj prindërve.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook