Ballina Kryesore Dy ishin qëllimet e reformës në drejtësi, që u morën nerva dhe...

Dy ishin qëllimet e reformës në drejtësi, që u morën nerva dhe energji shqiptarëve e ndërkombëtarëve

Reforma në drejtësi po ndiqet ndër vite nga ndërkombëtarët, duke u shkruar mijëra faqe raportesh  në çdo zyrë e institucion.

 

Nga Sonila Meço

Dy ishin qëllimet kryesore të reformës në drejtësi, për të cilën u morën vite, nerva, energji shqiptarësh e ndërkombëtarësh. U çartën ambasadorë e zyrtrarë Brukseli, Washington-i, u përpiluan mijra faqe raportesh, duke harxhuar tonera e mjete kancelarie në çdo zyrë ministrish, dikasteresh, institucionesh majë Europit, u ndërgjegjësuan deri fëmijët në djep për atë reformë e ato dy qëllime: pavarësisa e sistemit të drejtësisë nga ndikimi politik dhe shmangia e kapjes së tij nga krimi, korrupsioni e paaftësia.

Sot, dhjetor 2017, pas hyrjes në fuqi të reformës në drejtësi:

1. Prokurori i Përgjithshëm del nga një fjalë goje e Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë. Nuk ekziston Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshëm në asnjë nen të reformës në drejtësi (Do bëjmë reformë në drejtësi, apo drejtësi sipas së drejtës zakonore të politikës së deritanishme të kapur nga krimi, korrupsioni? Se e kanë thënë vetë deri edhe ndërkombëtarët, jo për gjë!)
2. Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë me 36 vota, pa pyetur për organin që parashikon Kushtetuta, pas reformës në drejtësi, KLP, apo vetë ligjin themeltar që kërkon votat e 3/5-ëve në Kuvendin e Shqipërisë. (Po a u vendos të qe larg ndikimit politik sistemi i drejtësisë? A u përqafuan të çmeritur Lu e Vllahutin pas një stresi të paimagjinueshëm deri në miratimin e reformës në drejtësi?)
3. Kryeministri bën thirrje për prokurorët të aplikojnë deri në datë 12 dhjetor, ora 18.00 për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. (Ouuu? Kryeministri i zyrtarëve, dosjet e të cilëve përvëlojnë duar prokurorie, nën hetime për lidhje me krimin e korrupsionin? Po ç’punë ka kryeministri sipas reformës në drejtësi të merret me procesin? A do qe kjo reformë që do prodhonte drejtësi larg ndikimit politik? Larg korrupsionit? Larg krimit?)
4. Dmth as Kushtetuta, as reforma në drejtësi pas hyrjes në fuqi, as predikimet e ambasadorit amerikan e asaj të BE-së deri në hyrjen në fuqi të reformës nuk u fërshëllyen.
Sot jemi në kushtet e shtetit të së padrejtës. Kur çdo hap që bën Shqipëria, edhe për pjesmarrje në Miss Europa, të kujton vetëm një togfjalësh: harroni integrimin pa ‘shtetin e së drejtës’.
Tani e kuptuam që mirë taksat tona që s’na e ndjen si na i shpërdorojnë, po edhe taksat e europianëve e amerikanëve u shpërdorokan si mos më keq.
Epo kush po pyet më për ndërkombëtarë, kur ata s’pyesin për të vetët.

LEXO EDHE:  Vendimi/ Asnjë profesion i lirë jashtë TVSH-së nga zero, qeveria i përfshin edhe avokatët

Tash që u ranë fjalët magjike ‘reforma në drejtësi’ dhe ‘shteti i së drejtës’ për të bërë zap të pabindurit shqiptarë e të pandreqshmit e politikës, me ç’do ta pasurojnë vullnetin për të integruar Shqipërinë në BE? Kështu sa për të harxhuar tonera kompjuterësh, blice aparatesh në konferenca për shtyp, mjete kancelarie në zyra institucionesh, shkopa e karrota për të mbajtur projektin europian edhe aty ku Europa pushon së ekzistuari sipas parimeve mbi të cilat krijoi Bashkimin e vet.

 
Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook