Ballina Dosier Strehuan diktatorin gjatë luftës Nacional-Çlirimtare, si u tradhëtua nga Enver Hoxha familja...

Strehuan diktatorin gjatë luftës Nacional-Çlirimtare, si u tradhëtua nga Enver Hoxha familja e mirënjohur Selfo

Shumë personazhe të njohur dhe familje gjirokastrite ndihmuan Enver Hoxhën finaciarisht, para dhe gjatë luftës, patën fund tragjik.

Mes tyre është edhe Reiz Selfo, një tregtar dhe biznesmen ndër më të njohurit të kohës.

Dy vëllezër të Reiz Selfos, ishin partizanë, por kjo nuk e pengoi diktatorin Hoxha që në shkurt të vitit 1951 të urdhëronte eleminimin e Reiz Selfos.

Por çfarë shkruan Enver Hoxha për biznesmenin e njohur gjirokastrit Reiz Selfo, duke e cilësuar si “reaksionar dhe dallaveraxhi…, ne i treguam vendin”. 

Ekzekutimi më 26 shkurt 1951 dhe persekutimi që u erdhi më pas familjarëve të Selfos.

“Reiz Selfo ishte i pari i familjes Selfo. Ky ishte një nga reaksionarët më dallaveraxhinj dhe ekspert në rrethin e tregtarëve të mëdhenj. Për krimet që kishte kryer ndaj popullit dhe atdheut, ne i treguam vendin dhe gjyqi e dënoi me pushkatim. Unë e njihja mirë Reizin, më kishte rastisur të takohesha me të, por rrallë të bisedoja, se ishte njeri i rëndë dhe nuk kishte kohë të merrej me njerëz si ne…”, shkruan Hoxha në kujtimet e tij, ndërkohë po në atë libër, ai përmend vëllain e Reizit, Syrja Selfon si një njeri pozitiv, por kjo hipokrizi kishte rrënjët më të thella, pikërisht në Gjirokastër.

Selfot ishin familje me traditë dhe ndër më të njohurat në zonë, si nga ana financiare ashtu edhe intelektuale.

Ndihmuan financiarisht luftën e ashtëquajtuar Nacional-Çlirimtare, kishin strehuar për shumë kohë vetë Enver Hoxhën, por kjo e mirë do kthehej në dramën e madhe jetëgjatë, që nisi që nga periudha e luftës dhe përfundoi në vitet 90’.

Më 23 shkurt 1951, Reiz Selfo arrestohet dhe tre ditë pasi e mbajtën në hetuesi mes turturash çnjerëzore merret vendimi për ta pushkatuar bashkë me 21 intelektualë të tjerë, si të dyshuar për hedhjen e bombës në Ambasadën Sovjetike.

LEXO EDHE:  Tutori bën të vdekur në dru transvestitin në Tiranë, prostitutat kapen me policët dhe i shajnë me libër shpie

Një jetë e prerë në mes, por familjarët dhe të afërm të Reiz Selfos do vijonin persekutimin në ferrin komunist.

Familja u internua në Lushnjë dhe fshtrat e Vlorës dhe u detyruan të jetonin në haure dhe kasolle.

Përveç Reizit, një nga pinjollët e familjes së mirënjohur Selfo, ishte edhe Halit Selfo. Ai mori pjesë direkt në luftën Nacional-Çlirimtare kundër okupatorëve të huaj. 

Pas ardhjes së komunizmit në Shqipëri, Haliti u quajt “Armik i Popullit” dhe u burgos në burgun famëkeq të Maliqit.

Por kush ishte Halit Selfo
Halit Selfo ishte një përkthyes i mirënjohur shqiptar, i cili lindi në një familje tregtare me tradita kulturore e atdhetare në qytetin e Gjirokastrës. Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas vijoi Liceun Francez në qytetin e Korçës. Studimet e larta i kreu në Padova të Italisë në Universitetin Ekonomi-Biznes. Në vitet e para të çlirimit të vendit, u emërua redaktor në gazetën ushtarake “Luftëtari”. Qysh në rininë e tij u mor me përkthime nga letërsia artistike botërore. 

Halit Selfo si një nga mjeshtrat e përkthimit, krahas përkthyesve të mirënjohur Skënder Luarasi, Lasgush Poradeci, Sotir Caci, Vedat Kokona, Spiro Çomora etj, ka dhënë një kontribut të shquar në krijimin e shkollës së përkthimit shqip. 

Për vlerat e tij të rralla, ai u emërua redaktor në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, ku me punën e tij tërë përkushtim u cilësua “Përkthyes i talentuar i letërsisë botërore”, duke zotëruar gjuhët frëngjisht, anglisht, rusisht e italisht. 

U emërua në ndërmarjen e botimve “Naim Frashëri” si punonjës i përhershëm, gjithashtu u bë dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Emrin e Halit Selfos, lexuesi shqiptar e ka njohur edhe më mirë në përkthimin e më shumë se 50 veprave letrare, midis të cilave: “Konti i Monte Kristos” (Alexandre Dumas); “Djemtë e rrugës Pal” – F. Molnar; “Poemë Pedagogjike” – Makarenko; “Zemra”- De Amicis; “Bijtë e kapitenit Grant” – Zhyl Vern; e mjaft romane të tjera në seri të Zhyl Vernit. 

LEXO EDHE:  Makinat përplasen kokë më kokë në Burrel, plagosen 3 persona, mes tyre dhe një prokuror

Me këto vepra, Haliti kontribuoi në ngritjen e cilësisë së përkthimeve tona. Ky punëtor i fjalës shqipe krijoi një pasuri të vyer të kulturës së përkthimit, e cila përbën një fond të artë në bibliotekën shqiptare.

Halit Selfo

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook