Ballina Aktualitet Vajza nga Tirana tregon tmerrin: Shefi më ngriti në detyrë, me futi...

Vajza nga Tirana tregon tmerrin: Shefi më ngriti në detyrë, me futi në zyrë dhe…

Sa herë flitet për dhunën ndaj grave dhe vajzave, mendimi i parë lidhet me atë fizike. Por dhuna më e përhapur dhe më e padenoncuar është ajo seksuale, si dhe ngacmimet seksuale. Në një rrëfim ekskluziv për Zërin e Amerikës një vajzë e re tregon se si është ngacmuar deri në dhunë nga shefi saj.

Një vajzë studente në Tiranë, së cilës i është ruajtur anonimiteti, thotë se për të përballuar shpenzimet e jetës në kryeqytet, pasi vinte nga një qytet i largët, kishte nisur një punë. “Ishte puna ime e parë” – thotë ajo. Pas disa kohësh, shefi i saj i propozon ngritje në detyrë.

Denoncuesja: “Isha e bindur që nuk e meritoja, por nuk po arrija t’i kuptoja të gjitha. Një ditë ndjeva derën e zyrës sime të hapej (sepse zyra ime ishte më e veçuar se të tjerat); kishte gjetur një pozicion të mirë për të patur një zyrë që të arrinte qëllimet e tij. Tentoi të me afrohej me forcë. Në atë moment, u ndjeva krejt e pafuqishme dhe thashë me vete: “mori fund”. Por nuk e di, një zë i brendshëm më ndihmoi dhe arrita të shpëtoj nga ai” – thotë vajza.

Kjo është vetëm një pjesë e rrëfimit të një vajze, që lidhet me denoncimin e ngacmimit seksual të shefit, që përfundoi në dhunë. Por sa gra dhe vajza ndjehen sot të kërcënuara nga kjo formë dhune, dhe sa arrijnë ato ta denoncojnë. Që prej vitit 2015, sipas statistikave të policisë, raportimet për dhunë seksuale janë zero dhe ato për ngacmime seksuale janë mbi 230, një shifër mjaft e ulët kundrejt 8 mijë grave dhe vajzave që morën urdhër mbrojtjeje nga gjykatat, për dhunë fizike ndaj tyre në këto vite.
Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi, Robert Gajda, thotë se nuk ka patur ankesa të tilla të mirëfillta dhe shton se gjatë hetimit, apo inspektimit të ankesave të tjera, kanë dalë dhe elementë që lidhen me ngacmimet seksuale

LEXO EDHE:  Ngacmoi seksualisht të miturën, gjykata merr vendimin e papritur për mësuesin 63-vjeçar

Edhe aktivistja Fabjola Egro, që drejton një shoqatë në mbrotje të grave, e përforcon këtë konstatim. Ajo thotë se ka shumë pak denoncime të dhunës dhe ngacmimeve seksuale, por kjo nuk është ngaqë nuk ndodh, – sqaron ajo. Zonja Egro thotë se ngacimet seksuale dhe mungesa e sigurisë tek gratë dhe vajzat është shumë e lartë.
Edhe policia, në një informacion zyrtar për Zërin e Amerikës, thotë se nuk ka një numër të lartë denoncimesh për këte kategori krimesh, për shkaqe nga me të ndryshmet, ku veçon çështje të të ashtuquajturit nder, frikë nga reagimi i ambjentit ku jetojmë, nga humbja e vendit të punës në rastet e ngacmimeve seksuale, etj.

Arsyet e denoncimeve të ulëta janë të shumta në një shoqëri, ku vazhdojnë të paragjykohen ende gratë e dhunuara dhe të ngacmuara seksualisht dhe jo dhunuesit e tyre. Ja cfarë thotë vajza e ngacmuar seksualisht nga shefi i saj, në rrëfimin për Zërin e Amerikës, nje deklaratë që mbështetet edhe nga Komsioneri për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe protagonistë të shoqërisë civile.

Denoncuesja e dhunuar seksuale: “Po mendoja ku të drejtohesha, sepse prindërit nuk do ta kuptonin këtë pjesë. Do me gjykonin mua, duke me thënë: “Ti ke bërë diçka. Ti ke arritur ta provokosh, ose është faji yt. Më mirë hesht do ishte fjala e tyre”.

Edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda,thotë se ka hezitim nga ana e grave dhe vajzave për të denoncuar dhunën dhe ngacmimet sekuale. “Ato – thotë ai, – preferojnë të mos i denoncojnë këto krime, edhe për shkak të paragjykimit nga shoqëria.”

Ish Komisionerja për Diskriminimin dhe pedagoge në fushën e së drejtës, Irma Baraku, e përforcon këtë linjë mendimi, kur thotë se numri i ulët i denoncimeve lidhet me mentalitetin, që jep gjykime të tilla si: vetë e ka provokuar, me mënyrën si është veshur, apo si është sjellë.

LEXO EDHE:  Këto janë 7 arsye pse punonjësit detyrohen të largohen nga puna

Aktivistja në mbrotje të grave Fabiola Egro, jep dhe arsyet e kësaj pasigurie, kur thotë se ajo shumfishohet nga shoqëria patriarkale shqiptare, ku mbizotëron një maskilizëm i thellë. Me tone zemërimi, Zonja Egro thotë se “këta shtriganë vijnë nga errësira e shekujve dhe vishen me pozicione publike, politike dhe kriminale”.

Që prej vitit 2013, dhuna seksuale dhe ngacmimet seksuale, përbëjnë vepër penale dhe dënohen me 3-7 dhe 1-5 vjet heqje lirie. Edhe në polici ka një sektor të veçantë për këto vepra penale. Por jo në të gjitha rastet ato konsiderohen vepër penale. Për shqetesimet seksuale në punë dhe me gjerë, ka dhe masa administrative. Por nëse dhuna fizike lë shenja dhe barra e provës është më e lehtë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për dhunën dhe ngacmimet seksuale.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda, thotë se ajo që ka rezultuar e vështirë në shqyrtimin e ankesave, në inspektimin dhe hetimin, është të provuarit e këtyre rasteve.Zoti Gajda sqaron se ato mbeten vetëm në nivel thëniesh të ankueses dhe të subjektit ndaj të cilit pretendohet diskriminimi.

Edhe denoncuesja, në rrëfimin e saj për Zërin e Amerikës thotë se ndodhet në një situatë të vështirë, por ajo ka mbështetjen e një organizate që ka marrë përsipër ta mbrojë.

“Ballafaqime ka gjithmonë”- thotë ajo- “sepse ai është njeri me pushtet, është njeri me një zë më të lartë se zëri im”.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vjen me një propozim konkret, që lehtëson pozitën e një gruaje, apo vajze të ngacmuar, apo dhunuar seksualisht, kur thotë se vajzat, apo gratë që ndjehen të rrezikuara, mund t’i regjistrojnë bisedat dhe mesazhet telefonike. Edhe pse ato nuk shërbejnë si provë në prokurori dhe gjykatë, sqaron zoti Gajda, sërish janë faktorë që ndihmojnë hetimin.

Irma Baraku, pedagoge në fushën e së drejtës, hyn në detaje konkrete të asaj që quhet ngacmim seksual. Ajo thotë se mjaft herë, njërëzit konceptojnë dhunë, por rati është më i thjeshtë se sa kaq. Zonja Baraku shpjegon se në ngacmin seksual mund të përfshihet dhe humori, nga një barcoletë e treguar, me karakter seksist, e cila ka në përmbajtje të saj ngacmimin seksual. Ndër të tjera, ajo veçon edhe një email, apo një humor të bërë kalimthi, por që në fakt është ngacmin, për aq kohë sa nuk pranohet nga pala të cilës i drejtohet.

LEXO EDHE:  FOTO/ Shefi i Rrugores në Mirditë flet pas atentatit me armë: Do kenë ngatërruar adresë

Në këtë situatë, ku kufiri mes sjelljes normale dhe ngacmimit seksual në vendin e punës është i interpretueshëm, përfaqësues të shoqërisë civile mendojnë se institucionet publike por jo vetëm, bazuar në Kodin e Punës dhe Ligjin për Diskriminimin, përmes një praktike unifikuese, duhet të hartojnë politika dhe dokumenta të brendshëm për ngacmimet seksuale. Në këtë mënyrë, punonjësit mund të njihen me kufirin e lejuar të sjelljes. Në Shqipëri, ndër të paktat institucione që kanë një dokument për ngacmimet seksuale, është Policia e Shtetit.

Në ndihmë të grave të dhunuara seksualisht pritet ngrihet një qendër që ofron shërbime mjekësore, këshillimore, ligjore dhe të hetimit policor. Për këtë po punon një grup pune në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale. Gratë dhe vajzat, sot mund ta denoncojnë dhunën dhe ngacmimet seksuale në Polici, Prokurori, tek Komisioneri për Mbrojtjen ndaj Diskriminimit, duke kapërcyer barrierat e forta të mentalitetit. Mjafton që zëri i tyre të jetë më i lartë se zëri i dhunuesit.

Denoncuesja: “Dhunuesi ka një forcë mbi ne, që të bën të ndjehesh sikur ti je fajtore. …Dhe duke bërë këtë na bën që ne të heshtim. Por ne nuk duhet të heshtim. Ne kemi forcën që të mos e heqim as bukën e gojës, të flasim dhe të përballemi me ta, duke denoncuar gjithmonë”- thotë vajza, viktimë e dhunës seksuale. /voa