Ballina Aktualitet “Vërtetim i hyrje-daljes nga burgu”, ja si mund të aplikoni falas dhe...

“Vërtetim i hyrje-daljes nga burgu”, ja si mund të aplikoni falas dhe online

Marrja e një dëshmie penaliteti, tani do të jetë një shërbim i thjeshtë online dhe falas, ja si do të mund të aplikoni në portal.

Tek portali e-Albania është shtuar dhe një tjetër shërbim. Bëhet fjalë për shërbimin “Vërtetim i hyrje-daljes nga burgu (dënimi)”.

Tek kjo kategori çdo qytetar mund të aplikojë online për t’u pajisur me vërtetim mbi një dënim të caktuar që kanë kryer, me datën përkatëse të hyrjes dhe të daljes nga burgu.

Pas dërgimit të aplikimit, specialisti i Kartotekës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, bën shqyrtimin e kërkesës dhe të dokumentacionit shoqërues, nëse ka.

Në rastin kur aplikimi është i rregullt, verifikohet kërkesa e shtetasit në regjistrat fizikë përkatës dhe përpilohet vërtetimi i kërkuar. Ky vërtetim, i nënshkruar elektronikisht, i bashkëngjitet përgjigjes e cila i dërgohet shtetasit me email, si dhe tek “Dokumentet e mia” në seksionin “Hapësira ime” në e-Albania.

Nëse vërtetimi është kërkuar edhe në formatin letër, atëherë aplikanti njoftohet se duhet të paraqitet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për ta tërhequr atë. Në rastin kur aplikimi nuk është i rregullt, shtetasi njoftohet përsëri nga specialisti i kartotekës me anë të email-it për mangësitë e aplikimit.

Dokumentacioni i nevojshëm

– Dokument identifikimi të përdoruesit- kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin e-Albania)

– Në rastin kur aplikimi për vërtetimin e periudhës së burgut bëhet nga vetë shtetasi, atëherë nuk është i nevojshëm asnjë dokument shtesë

LEXO EDHE:  Procedura e re, ja si do mund t'i shlyeni taksat e automjeteve dhe gjobat

– Në rastin kur aplikimi për vërtetimin e periudhës së burgut nuk bëhet nga vetë shtetasi i cili ka kryer dënimin, atëherë ngarkohet një dokument që vërteton lidhjen familjare me shtetasin për të cilin kërkohet ky vërtetim

Hapat e procedurës

– Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania

– Zgjidhni shërbimin “Vërtetim i hyrje-daljes nga burgu (dënimi)”

– Plotësoni të dhënat e formularit, duke bashkëngjitur dhe dokumentet plotësuese në rast se kërkohen

– Shtypni butonin “Dërgo”

– Sektori Ligjor dhe i Kartotekës bën shqyrtimin e aplikimit dhe të dokumentacionit përkatës

– Nëse aplikimi pranohet, Sektori Ligjor dhe i Kartotekës përpilon vërtetimin, e nënshkruan në mënyrë elektronike dhe e dërgon automatikisht tek hapësira e aplikantit në e-Albania. Ju do të njoftoheni edhe me anë të e-mail-it se dokumenti është gati, të cilin dhe mund ta gjeni më pas tek “Dokumentet e mia” në seksionin “Hapësira ime” në llogarinë tuaj në e-Albania.

– Në rast se e kërkoni dokumentin në hard-copy, dokumenti printohet dhe ju do të njoftoheni me e-mail se vërtetimi juaj është përgatitur dhe mund ta tërhiqni atë pranë Drejtorisë së Përgjithshme e Burgjeve të Shqipërisë.

Koha e nevojshme për marrjen e shërbimit është 10 ditë, ndërsa periudha e vlefshmërisë pa afat. Mbi të gjitha nëpërmjet aplikimit online nuk do të ketë asnjë pagesë.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook