Ballina Kryesore Zbardhen detajet e paktit për vrasjen e Izet Haxhisë, të përfshirë Sali...

Zbardhen detajet e paktit për vrasjen e Izet Haxhisë, të përfshirë Sali Berisha dhe Ilir Meta

Juristi Romeo Kara ka hedhur dje dritë mbi pretendimet e Izet Haxhisë se ndaj tij është bërë një plan për ta eliminuar fizikisht.

Dje nisi procesi gjyqësor ndaj tij dhe ish-truproja i Sali Berishës, i akuzuar për vrasjen e Azem Hajdarit, deklaroi se arsyeja e mosparaqitjes së tij në Shqipëri gjatë këtyre viteve ishte frika se do e vrisnin.

Haxhia deklaroi se ndaj tij ka pasur një plan eliminimi, por pa dhënë detaje. Pas seancës ishte Romeo Kara, juristi që denoncoi aferën CEZ dhe njëherësh mik i familjes Haxhia, ai i cili hodhi dritë mbi deklaratën e Izet Haxhisë.

Kara tha se bëhet fjalë për një takim të fshehtë mes Sali Berishë dhe Ilir Metës në hotel “Rogner”, ndërsa të pranishëm kanë qenë dhe Pandeli Mjako dhe Genc Pollo, ku është thurur një plan për ekzekutimin e disa peronave, mes të cilëve dhe Izet Haxhinë.

“Di që është bërë një takim i përfolur midis Berishës dhe Ilir Metës, ku kanë qenë dhe të tjerë aty, mbase Majko me Pollon, apo edhe persona të tjerë. Prej andej thuhet se ka dalë një vendim i tillë, i marrë në forma jo ligjore mbase, ku është vendosur ekzekutimi i tij”, tha ai. Sa i takon një pakti të mundshëm mes presidentit aktual Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha pak pas vrasjes së Hajdarit, Haxhia ka folur dhe disa javë më parë.

Ai tha se Meta dhe Berisha manipuluan procesin gjyqësor. “Dua të dalë e vërteta në dritë. Vrasësit e tij janë eliminuar. Ata që e kanë nxjerrë në pritë nuk janë dënuar. Grupi i 8 vetave si prokurorë kanë marrë nga 50 mln lekë shpërblim nga Berisha dhe Meta te banka e kursimeve me kredi të butë dhe këto para nuk janë shlyer më pas. Për çfarë drejtësie flasin ata? Pse nuk është diskutuar roli i grupit të ‘Rognerit’, i di mirë Klosi. Hajdari nuk doli nga zyra ime, por e Berishës, ai e nxori në pritë”, tha Haxhia pasi u vendos ekstradimi i tij nga gjykata turke.

Procesi ndaj Haxhisë
Juristi Romeo Kara, ka folur dhe për seancën e djeshme gjyqësore. Ai ka treguar disa prej arsyeve se përse çështja duhet të rigjykohet, duke deklaruar se Haxhia nuk ka lidhje me vrasjen e Hajdarit. “E shoh si një moment të përplasjes reale të së vërtetës me të pavërtetën, të djallëzisë dhe hipokrizisë me çiltërsinë dhe forcës për të ardhur vetë, për të rrezikuar me burg vite të tëra jete vetëm për të siguruar të vërtetën. Seanca e parë ishte një seancë ku palët paraqitën pretendimet e tyre. Po flas për avokatin e zotit Haxhia dhe vetë zotin Haxhia. Prokuroria paraqiti një pretendim mjeran për mua, pasi prej dhjetra vitesh janë bërë të ditura faktet dhe arsyet se përse duhet të rihapet ky proces. Nuk ka pasur një proces të drejtë. Ka pasur një proces të deformuar që në hetim dhe pastaj në proces gjyqësor”, tha ai. Romeo Kara u shpreh se ka fakte e prova të reja që detyrojnë gjykatën të hapë çështjen. Ai renditi disa nga parashikimet ligjore që parashtroi në seancë dhe avokati i Izet Haxhisë. “Pastaj kemi fakte të reja. Kemi garanci të dhëna nga vetë qeveria e Berishës, mbase në mënyrë hipokrite, ku jepte garanci për rihapjen e procesit në vitin 2007. Nga ministri i Drejtësisë Ilir Rusmali, pra nga Ministria e Drejtësisë e Berishës, nga Ministria e Jashtme e Berishës, të cilat nuk u realizuan në atë kohë, por desh zoti dhe u realizuan tani, nga të cilat ata nuk mund të heqin dorë apo të shmangen. Me garancitë e dhëna, me parashikimet e Konventës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, me provat e reja, me mungesën që ka qenë evidente në gjykim. Me mungesën e një kërkese për të ardhur në gjykim Izet Haxhia, pasi nuk ekziston kurrë një kërkesë e tillë. Unë mendoj se plotësohen të gjitha kushtet, si me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, për hapjen e gjykimit nga e para dhe të asaj që kërkoi zoti Haxhia, të ballafaqimit të tij me denoncuesin Sali Berisha. Të fjalës së tij karshi fjalës së Berishës, të argumenteve të tij karshi argumenteve të Berishës”, vijoi juristi. /sot.com.al

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook