Ballina Kryesore Zbulohet vendimi i qeverisë, ja “dhurata” që Rama i bën Arta Markut

Zbulohet vendimi i qeverisë, ja “dhurata” që Rama i bën Arta Markut

Këshilli i Ministrave ka marrë disa vendime gjatë ditës së sotme, të cilat janë publikuar zyrtarisht.

Qeveria shqiptare ka marrë përsipër të paguajë qeranë e banesës së Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku.

Kjo e fundit jeton me qera në një apartament në Tiranë, ndërsa para se të zgjidhej në krye të Prokurorisë, Arta Marku banonte në Shkodër, ku kryente funksionin e Prokurores së rrethit.

Vendimi i Këshillit të Ministrave

V E N D I M

PËR

KOMPENSIMIN E QIRASË SË BANESËS PËR STREHIMIN E PROKURORIT TË CAKTUAR TË KRYEJË PËRKOHËSISHT DETYRËN DHE FUNKSIONET E PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kompensimin, në masën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, të pagesës së qirasë së banesës për strehimin, në qytetin e Tiranës, të prokurorit të caktuar të kryejë përkohësisht detyrën dhe funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm.

2. Pagesa e kompensimit, deri në përfundim të periudhës së përkohshme, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të kryhet çdo muaj, me fondet e buxhetit të miratuar për vitin 2018 për Prokurorinë e Përgjithshme.

3. Shuma e përgjithshme e fondit, që do të përdoret për pagesat e kompensimit, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe të rishpërndahet në buxhetin e miratuar për Prokurorinë e Përgjithshme.

4. Ngarkohen Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook