Ballina Galeri FOTO/ U përzgjodh mes “100 Fshatrave Turistikë”, njihuni me fshatin disa hapa...

FOTO/ U përzgjodh mes “100 Fshatrave Turistikë”, njihuni me fshatin disa hapa larg Dardhës

Nga Ernest Braholli
Pranvera e mbulon me petale lulesh, Vera me gjelbërimin e pemëve, Vjeshta me arin e gjetheve, ndërsa Dimri e struk bukur mes bardhësisë së dëborës.

Bëhet fjalë për Arrzën, një fshat vetëm 5 km larg nga Dardha, i cili është përzgjedhur për t’u përfshirë në programin zhvillimor të 100 fshatrave të Shqipërisë për turizëm rural.

Arrëza është pjesë e nën-rajonit etnografik të quajtur Devolli i Sipërm, sëbashku me Dardhën, Sinicën, Qytezën dhe Nikolicën. Me Nikolicën që ndodhet rrëzë Malit të Gramozit, gjithashtu e përzgjedhur në program, Arrëza lidhet përmes luginës së Lumit Devoll, i cili e ndan fshatin në dy pjesë.

Fshati është një vendbanim i hershëm, rreth 600-vjecar, me tradita të forta kulinarie të përpunimit artizanal të produkteve bujqësore dhe blegtorale, duke i shtuar kështu potencialin turistik. Shtëpitë e ndërtuara mahnitshëm në strehë të njëra-tjetrës mbajnë ende në këmbë traditën, zakonet apo legjendat e vjetra, të shkruara nëpër gurë të gdhendur, oborre të shtruara mirë dhe sokakë të gjerë.

Fshati ka në inventar dy objekte kulti dhe një Monument Natyre, Dobërgorën. Dobërgora, emri i së cilës përkthehet “Mali i Mirë”, është një vend pelegrinazhi i njohur në zone. E cilësuar si vend i mrekullive, ajo ka në përbërje drurë lisi dhe ahu me moshë 157 vjecare, dhe lartesi nga 18 deri 20 metra, duke përbërë një shesh pushimi të përkryer.

LEXO EDHE:  I përplasi makina teksa po udhëtonin me motor, identifikohen 2 vëllëzërit që humbën jetën në Devoll (Emrat)

Zona është e pasur me burime të shumta ujore, lugina të gjelbëruara, shumëllojshmëri drurësh dhe pemësh të egra frutore (lajthi, dardha, qershi), si dhe një biokorridor i rëndësishëm për rruazorët e mëdhenj si ariu , ujku , rrëqebulli (Felis lynx), dhia egër, kaprolli, etj.

Ndërkohë qe fshatrat malorë vitet e fundit janë boshatisur nga lëvizjet e banorëve drejt qëndrave të mëdha, Arrëza vazhdon të numërojë rreth 600 banorë, të cilët kryejnë aktivitet bujqësor dhe blegtoral në funksion të agroturizmit.

Për më tepër ju ftojmë të shfletoni galerinë e mëposhtme të fotove:

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook