Ballina Kulture Udhëtim në trojet Shqiptare/ Ura Vajgurore, qyteti provincial me 100 vjet histori

Udhëtim në trojet Shqiptare/ Ura Vajgurore, qyteti provincial me 100 vjet histori

Ura Vajgurore është një qytet në Rrethin e Beratit në Shqipëri.

E ka marrë këtë emër nga ura e vjetër në stilin e asaj të Goricës, së cilës i kanë ngelur vetëm rrënojat e këmbëve, por mund ta ketë marrë këtë emër edhe nga urës ekzistuese, e quajtur Ura e Hasan Beut, që më vonë, në vitin 1946, si duket nuk ka ngjitur shumë dhe është quajtur Ura Vajgurore, për shkak të pellgut naftmbajtës aty pranë dhe se në këtë qytet ndodheshin rezervuarët e vajgurit, që grumbullohej nga përpunimi i naftës në qytetin e Kuçovës dhe më pas shpërndahej në të gjitha skajet e vendit.

Po në këto vite u hap dhe miniera sipërfaqësore e gurit, për përpunimin e gurit në granil, gëlqere etj. Ndoshta vajguri dhe guri në një variant etimologjik dhanë  emrin Urë-Vajgurore, me të cilin thirret edhe zyrtarisht dhe administrativisht. Gjetje të ndryshme arkeologjike dëshmojnë këtu për ekzistencën e hershme të një qendre të banuar. Qyteti i sotëm i Urës Vajgurore e ka origjinën nga shpërngulja e banorëve të fshatrave përreth gati 200 vjet më parë.

Popullsia është e përbërë nga një përzierje mes vendasve dhe vllehëve të ardhur nga mali i Tomorrit që janë në krahun tjetër të qytetit, me mbiemra kryesisht me origjinë ortodokse dhe pjesës tjetër, të ardhur, rreth viteve 1960 e në vazhdim nga fshatrat më të afërt si Çifliku, Kutallia, Konisbalta.

Ura Vajgurore formësohet si qytet në vitet 20 të shekullit të kaluar. Në këtë qytet nuk kishte banesa të mëdha. Në vitin 1920 qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes ndikoi që buzë lumit të ndërtohej një han për të pushuar kalimtarët me kafshë e ngarkesë nga zonat e Mallakastrës dhe Myzeqesë në ditën e pazarit.

LEXO EDHE:  Përballja live/ "Teatri do shembet", aktori i njohur ia thotë në sy Kumbaros: Kur të kaloni mbi trupat tanë

Në Berat tregtarët nga fshati Vokopolë ndërtuan në këtë anë lumi në vitet e regjimit të Zogut dyqane dhe hotele si dyqani i Simon Urës “Naska” dhe hoteli i “Xhaxhajve”. Në vitin 1925 në pjesën veri-perëndimore, ku sot është lagja “4 Shtatori” u bë qendër administrative e zonës së Mezit të Urave dhe u ngrit Komuna e Urës së Hasan Beut, ku u ndërtua qendra e komunës. Po këtu pranë ndërtesës  së komunës u ndërtua ndërtesa trekatëshe e xhandarmërisë dhe burgu, në këto ndërtesa edhe sot banojnë njerëz. Në vitin 1930 u hap Gurorja nga shoqëria italiane, ku gurët e saj u përdorën për ndërtimin e rrugëve dhe banesave. Në vitin 1945 Ura e Hasan Beut u bë lokalitet. Mbas vitit 1945 dhe në vazhdim, në zonën e Beratit, filloi të ndërtohej industria mekanike e naftës në Kuçovë. Në qytetin e Urës – Vajgurore u ndërtuan 25 vaska -rezervuar me përmasa të mëdha, ku i gjithë vajguri që dilte nga përpunimi i naftës në Uzinën e Përpunimit të Naftës në Kuçovë u grumbullua në këtë qytet.

Ura e Hasanbeut

Kalimi në këtë zonë u bë me varka disa vjet rresht, gjersa një bej, me emrin Hasan Beu, mori përsipër të jepte paratë për ndërtimin e një ure të re mbi shtratin e lumit Osum. Por beu nuk kishte aq para sa të ndërtonte urën. Për urën e ndihmoi e bija e vetme, e martuar në një familje të pasur me një bej nga Janina. Për nder të investitorit, ura u quajt “Ura e Hasan Beut”. Me prona në Poshnje, Pashalli e Kondezbaltë kjo grua shërbeu pranë të shoqit të arsimuar në Greqi dhe Turqi, në Stamboll, ku i shoqi zinte poste të larta në administratën turke. Flitet se kjo grua u lidh me rrethet patriotike shqiptare dhe se nëpërmjet një konsulli të huaj në Stamboll zbuloi planet për copëtimin e Shqipërisë sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës dhe menjëherë ua bëri të njohur shqiptarëve. Veprimtaria e saj u diktua nga autoritetet turke dhe menjëherë u burgos dhe më pas u dënua me vdekje, por falë ligjit për mosdënimin e grave dhe më pas u dëbua nga autoritetet turke dhe u vendos pranë të atit në Poshnje. Dy djemtë e saj, Muharremi dhe Eqerem Janina, të arsimuar në Itali e Francë, ndihmuan Luftën Nacionalçlirimtare. Pasardhësit e kësaj familjeje janë shpërndarë.

LEXO EDHE:  VIDEO/ “Kurrë mos hyftë Shqipëria në BE nëse ky është kushti”, historiania lëshon deklaratën e fortë

Nyje lidhëse për disa zona

Ura Vajgurore ka histori interesante zhvillimi, sidomos në periudhën socializmit. Në këtë qytet ndodheshin ndërmarrjet më të mëdha në Qarkun e Beratit. Ishte ndërtuar SMT, ku punonin 1500 punëtorë. Ndërtimi i dy parqeve të transportit dhe ai i karburantit, ku ishin të punësuar 3000 punëtorë. Ndërmarrja e Ndërtimit dhe Tullave, ku ishin të punësuar 1 000 punëtorë. Madje, në këtë qytet ndodhej dhe ndërmarrja e tregtisë që shërbente për furnizimin e të gjithë krahinës së Beratit.

Sot Ura Vajgurore është një qytet i vogël provincial, me jetën e tij normale, nyje kalimi mes Beratit e Kuçovës. Aktivitete kryesore janë tregtia, transporti dhe bujqësia. Duke qenë një zone provinciale nuk dallohet për ndonjë nivel maksimal të aktiviteteve kulturore, megjithatë ka një numër të konsiderueshëm banorësh të arsimuar me arsimin e lartë në raport me popullsinë.

Është për të ardhur keq, por sot Ura Vajgurore është kaotike sa i përket konceptit urban, nuk të lë përshtypje si portë hyrëse ndaç për Beratin, ndaç edhe për Kuçovën. Por duket se ka rreze drite në horizont, rikonstruksioni i rrugës kryesore të Beratit nuk do të kalojë mes përmes qytetit, ajo do të kalojë në krah të tij, kështu që do të shmangë rrëmujën dhe zhurmën urbane. Në qytet janë bërë e po bëhen investime bashkëkohore, me një strukturë të tërë ndërtimore me trotuaret, ndriçimin dhe gjelbërimin, që mblidhet e gjitha në qendër të qytezës.

Shpresë për më mirë

Tani, me reformën e re territoriale, Ura Vajgurore është njësi më vete, bashki e madhe që veç qytetit ka edhe komunat e Poshnjes, Kutallisë, Cukalatit me gati 40 mijë banorë dhe një sipërfaqe prej 200 km katror. Urës vajgurore nuk i mungojnë kapacitetet intelektuale, të cilët me punëne tyre drejtuese dhe menaxhuese, me investimet në infrastrukturë do të zvogëlojnë distancat e qendrave të banuara të largëta nga qendra e njësisë. Resurset natyrore të kësaj zone si dhe rritja dhe fuqizimi i biznesit sidomos atij të përpunimit të inerteve të gurit dhe të lumenjve, fuqizimi i fermave private, përpunimit agro-industrial, plantacioneve me ullinj, dru frutorë, vreshta, perimeve të të gjitha stinëve, blegtorisë dhe përpunimit të produkteve të qumështit dhe mishit do ta bëjnë zonën më të begatë dhe me një jetesë shumë më të mirë se deri më sot”

LEXO EDHE:  “M’u duk vetja shumë i vogël”, aktori i madh shqiptar rrëfen historinë prekëse me një djalë invalid

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook