Para se të zgjidhej President i Republikës pas zgjedhjeve të lira në 1992, të gjithë e dijmë se ish-kryeministri Berisha ka qenë doktor.

Por fotot e tij si doktor janë mjaft të rralla. Së fundmi është publikuar, një foto në media, e cila zbulon anën tjetër të njeriut që la mjekësinë për politikën.

Gazetari Adi Darsi, ka publikuar në faqen e tij në “Facebook”, foton e rrallë të ish-kryeministrit Berisha, ku shfaqet mes profesorëve dhe mjekëve në Fakultetin e dikurshëm të Mjekësisë. 

Siç shihet dhe në foto, bashkë me Berishën, është dhe kardiologu i ndjerë Ylli Popa.

Karriera e Berishës në fushën e Mjekësisë

Sali Berisha, përfundoi me rezultate të shkëlqyera Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1967.

Më vonë ai u specializua në degën kardiologji dhe më pas u emërua si asistent/profesor mjekësie në të njëjtin universitet dhe mjek kardiolog në Spitalin e Përgjithshëm të Tiranës.

Gjatë viteve 1970, Sali Berisha u dallua për punën kërkimore në fushën e kardiologjisë në Shqipëri dhe u emërua profesor kardiologjie në Universitetin e Tiranës.

Në vitin 1978 ai fitoi një bursë nëntë mujore nga UNESCO për studime të avancuara dhe trajnime në Paris. Pas kthimit në Shqipëri, Berisha filloi një program kërkimor për hemodinamikën që tërhoqi vëmendjen e shumë kolegëve evropianë.

Në vitin 1986 u zgjodh anëtar i Komitetit Evropian për Kërkime Mjekësore me qendër në Kopenhagën, me të cilin punoi për përpunimin e strategjive kërkimore shkencore “Shëndet për të gjithë”.

Studimet shkencore ndërkombëtare në kardiologji të z. Berisha ishin origjinale dhe të rëndësishme; ato u botuan në gazeta dhe revista mjekësore prestigjioze në Evropën Perëndimore. Në vitin 1989 iu dha titulli Profesor në Universitetin e Tiranës.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook