Ballina Kuriozitet KONSPIRACION/ Ana e errët e Globalizmit

KONSPIRACION/ Ana e errët e Globalizmit

Fjala “globalizëm” ka hyrë tashmë në fjalorët e gjuhëve moderne e veshur me një konotacion negativ, sidomos kur bëhet fjalë për kompanitë e mëdha multinacionale, zakonisht me prejardhje nga vendet e zhvilluara perëndimore, të cilat gllabërojnë pa mëshirë industritë e vogla dhe të mesme duke i spostuar nga tregjet dhe duke shkaktuar rrënimin e tyre.

Edhe pse kur flitet për globalizëm, shumë njerëz kanë parasysh fenomenin kur për shembull, një restorant Mc Donald në qendrën e një qyteti nxjerr nga biznesi byrektoret apo kebabtoret lokalë apo një supermarket gjigant shkakton rrënimin e tregtarëve të vegjël që tregtojnë prodhime të vendit.

Globalizmi është shtrirë tashmë edhe në art, kulturë, muzikë, gjuhë deri edhe në mënyrë jetese apo mënyrë të menduari.

Globalizmi, i cili shpesh identifikohet nga snobët me modernizimin apo civilizimin i ka shtrirë metastazat e tij ngado që të hedhësh sytë.

Sigurisht që një fenomen i tillë ka të mirat e veta, pasi shpesh sjell me vete zhvillim ekonomik të shpejtë, sidomos për të ashtuquajturat vende të botës së tretë, dhe është në të shumtën e rasteve, një rrugë një-drejtimshme: nga vendet e zhvilluara drejt atyre më pak të zhvilluara.

Gjithsesi, një përgjithësim i tillë bën përjashtim kur bëhet fjalë për globalizmin e fenomenit të krimit të organizuar, i cili shoqëron kapitalin si mizat pas buallit.

Rënia e regjimeve totalitare në rajone të tilla si ish-blloku komunist i Evropës Lindore, rënia e Aparteidit në Afrikën e Jugut apo rënia e disa regjimeve diktatoriale në Amerikën Latine, përveçse i sollën një hov të ri globalizmit në sferën ekonomike, si shpërblim për këtë importuan krimin e organizuar që buroi fill pas rënies së diktaturave.

Shumica e popullsisë së këtyre rajoneve u ndjenë të çliruar, një pjesë vajtuan me nostalgji kohërat që po perëndonin, ndërsa pragmatikët dhe oportunistët panë mundësinë për të mbledhur kapital me shpejtësi pothuajse të paparë ndonjëherë në historinë e njerëzimit.

LEXO EDHE:  Të gjitha shenjat e horoskopit e kanë një anë të errët, zbuloni tuajën

Kjo kategori njerëzish, për të cilët dëshira për t’u pasuruar i tejkalonte çdo lloj ndjenje moraliteti, në mënyrë instiktive e kuptuan se hapja e kufijve dhe vendosja e lidhjeve me perëndimin e pasur, rritja e marrëdhënieve tregtare dhe rritja e ndjeshme e migracionit jepte shanse të papara për t’u pasuruar.

Situata e krijuar ishte për ta një minierë ari që ftonte në mënyrë tepër tunduese për t’u shfrytëzuar. Instinkti i kapitalistit i bëri këta individë të shohin se jo vetëm vendet e tyre kanë nevojë për kapitalin dhe të mirat që vinin nga jashtë, por edhe vendet e pasura perëndimore kishin nevojë për “produktet” e vendeve të tyre: prostituta, drogë, imigrantë etj., për të cilët egzistonte një treg tepër i uritur në vendet e zhvilluara.

Trafiqet e tyre nuk do të kufizoheshin në transportin e produkteve vendase drejt perëndimit; në kthim ata do të sillnin produkte të vjedhura nëpër rrugët e Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar etj, kryesisht automjete luksoze që do të shiteshin për vetëm një fraksion të çmimit të tyre real..

Në shumë nga këto vende, kësaj klase iu bashkëngjitën ish-punonjës të agjencive të inteligjencës si për shembull nga KGB-ja ruse etj, apo edhe ish-punonjës të policisë të mbetur pa punë nga ndryshimet socio-politike, me njohuri në botën e krimit të organizuar.

Ata shumë shpejt krijuan monopolet dhe rrjetet e tyre të trafikimit me degë në shumë vende perëndimore. Efiçenca e këtyre ndërmarrjeve kriminale është për t’u admiruar edhe nga drejtues të korporatave gjigande multi-nacionale.

Një nga avantazhet më domethënës të botës së krimit të organizuar është mospërfillja e tyre total ndaj kufijve nacionalë apo edhe ndaj konflikteve shpesh me karakter antagonist që sollën luftëra sidomos në rajonin e Ballkanit.

LEXO EDHE:  Eksperimenti/ Njerëzit e parë superinteligjentë do të jenë realitet në 2030

Për më tepër, ata kanë ditur të përdorin konfliktet ndërmjet shteteve të tyre për të maskuar veprimtaritë e tyre kriminale dhe për t’i përdorur këto konflikte në favor të tyre.

Rasti më tipik ishte kontrabanda e fuqishme me të ardhura multi-milionëshe gjatë embargos së ish-Jugosllavisë.

Konflikte ndërmjet vendeve ishin në fakt një mburojë mjaft efikase që largonin vëmendjen nga aktivitetet e tyre kriminale. Bosët e krimit të organizuar janë totalisht të zhveshur nga komplekse nacionale.

Duke e parë nga një këndvështrim amoral, i ashtuquajturi krim i organizuar është një veprimtari fitimprurëse me të gjitha tiparet e një biznesi të suksesshëm, duke përfshirë hulumtimin dhe gjetjen e lëndës së parë nga vende të botës së tretë ku çmimet e ulëta rrisin margjinën e fitimit, krijimin dhe ruajtjen e zonave të influencës, transportin, organizimin, gjetjen e tregjeve, shitjen, menaxhimin e fondeve, investimet etj.

Aspekti më i rëndësishëm i kësaj veprimtarie mbetet shkalla e rrezikut e cila është shumë më e lartë se e një biznesi të ligjshëm. Por sigurisht, ky aspekt negative, ka anën e vet pozitive e cila ka të bëjë me margjinën e lartë të fitimit, që me sa duket është në përpjesëtim të drejtë me shkallën e rrezikut.

Në një botë ku kufiri ndërmjet të moralshmes dhe të pamoralshmes po bëhet përditë e më mjegullt dhe i papërcaktuar, kjo klasë e re “biznesmenësh” po fiton ngadalë status të mirëqenë, sidomos në vendet neo-kapitaliste si Shqipëria.

Por nga ana tjetër, natyrshëm lind pyetja: A do të ishte krimi i organizuar kaq i suksesshëm në rast se vendet e zhvilluara perëndimore do t’i merrnin më seriozisht virtytet në të cilat pretendojnë se janë në themelet e civilizimit të tyre?