Ballina Kulture “Sot pothuajse i shkatërruar totalisht, në lashtësi ishte ajka e qytetërimit”

“Sot pothuajse i shkatërruar totalisht, në lashtësi ishte ajka e qytetërimit”

Iraku është një nga qendrat më të lashta të qytetërimit, e në hapësirën e tij takohen kulturat e Babilonisë dhe Mesopotamisë.

Që nga prehistoria aty shfaqen rreth 3000 vjet para Krishtit Sumerët, të cilët disa shekuj më vonë do të nënshtroheshin prej Akadëve. Por perandoritë që u ngritën në rrafshinën mes Tigrit dhe e Eufratit nuk qenë kurrë në gjendje të eleminonin njëherë e mirë të gjitha kërcënimet që vinin prej tribuve luftëtare të maleve dhe prej nomadëve të shkretëtirës.

Në këtë ndërmarrje dështuan edhe Asirasit, të cilët, duke qenë në kulmin e fuqisë së tyre (shek. IX-VII para Krishtit) zotëronin një territor që shtrihej nga Egjipti në Persi. Në shek. VI Iraku ishte qendra e një perandorie neoakadiane, e cila në fakt nuk mundi t’u bënte qëndresë sulmeve të Persianëve.

Në vijim Iraku nisi ta humbte rëndësinë, nëse përjashtohet epoka e seleucidëve, kohë kur Vëndi kishte rolin e një province të rëndësishme të perandorisë. Mes shekujve I para Krishtit dhe shek. VII mbas Krishtit, Iraku qe një zonë e kufizuar nga Romakët, Partët dhe Sasanidët, të cilët kërkonin ta kishin për vete.

Në vitin 634 Arabët ndërmorën pushtimin e Vendit. Në vitin 749-750 një dinasti e re kalifësh, Abasidët, arriti ta pushtonte, duke ia rikthyer kështu Irakut rolin qëndror në një perandori të madhe, kompaktësia e së cilës shumë shpejt u kris nga konfliktet e brendshme.

Kalifati abasid u hoq zvarrë në mënyrë gati formale deri më 1258, vit kur Bagdati, kryeqyteti, u shkretua nga Mongolët, por fuqia dhe begatia e Irakut nuk patën mundur t’u mbijetonin shekullit IX.

Iraku u sulmua edhe nga Osmanët dhe Persianët: të parët arritën të përfitojnë pjesën më të mirë, por në të vërtetë fuqia lokale kaloi në duart e pashallarëve autonomë kundrejt Stambollit. Vetëm më 1831 Osmanët rifituan të drejtën e kontrollit të rajonit.

Në kapërcyell të 1900 Anglezët dhe Gjermanët luftuan për të siguruar hegjemoninë ekonomike në rajon. Lufta e Parë Botërore i dha mundësinë Londrës që ta pushtonte ushtarakisht Vendin: më 1920 Konferenca e Sanremos i dha dorë të lirë Britanisë së Madhe.

Politika angleze synoi dy objektiva parësore: të siguronte kontrollin e zonave naftëmbajtëse irakene (më 1926 Turqia qe detyruar të hiqte dorë nga pretendimet mbi Mosulin) dhe të bënte për vete nacionalistët e moderuar nëpërmjet lejimit të një dinastie arabe. Më 1921 qe shpallur mbret e Irakut Fajsali I. Më 1932 Iraku u bë Shtet i pavarur, edhe pse me një status që e mbante mbyllur brënda linjave perandorake britanike.

Hyrje
Termi Sumer është në të vërtetë një emër i vënë nga një grup tjetër njerëzish, term të cilin e përdorën përsëpari Akadikët. Sumerët përshkruheshin si “njerëzit me kokë të zezë” (sag-gi-ga) dhe e quanin tokën e tyre “vendi i zotërinjve të qytetëruara” (Ki-en-gi). Fjala akade Shumer, ndoshta përfaqëson këtë emër në dialekt. Sumerët, me një gjuhë, një kulturë, e ndoshta me një pamje të ndryshme nga fqinjët e tyre Semitë dhe pasardhës, janë konsideruar pushtues ose emigrantë, dhe pse nuk është e lehtë të përcaktohet saktësisht se kur ndodhi kjo dyndje, apo origjina gjeografike e Sumerëve. Disa arkeologë kanë hedhur hipotezën se Sumerët ishin indigjenë të rrafshinave tëMesopotamisë. Të tjerë thonë se termi “Sumer” ka domethënie vetëm në gjuhën sumere, duke shtuar se mes tyre nuk egzistonin grupe etnike. Gjuha sumere është një gjuhë e izoluar sepse nuk i përket asnjë dege të njohur, ndryshe prej gjuhës Akadike e cila i përket gjuhëve afro-aziatike.

LEXO EDHE:  “Ekonomia është rritur”, Tabaku i kundërpërgjigjet ministrit: E financon droga e krimi

Administrimi dhe politika
Sumerët banonin në qytet-shtete të ndryshme, secili prej të cilëve qe përqëndruar rreth një tempulli kushtuar zotit të qytetit; qyteti qeverisej nga një mbret që ishte ngushtësisht i lidhur me ritet religjioze. Disa nga qytetet më të mëdha ishin Eridu, Kish, Lagash, Uruk, Ur, Nipur. Kur këto qytete filluan të rriten, ndjenë nevojën e të sunduarit të njeri-tjetrit, duke nxitur kështu një mijëvjeçar thuajse të pareshtur luftrash mbi të drejtat për ujin, rrugët tregtare dhe taksat e tribuve nomade.

Arkitektura Sumere
Rrafshinat mes Tigrit dhe Eufratit ishin të varfëra në minerale dhe në pemë. Ndërtimet sumere bëheshin prej tullash argjili të mysëta, të pafiksuara me baltë apo gëlqere. Këto ndërtime rrënoheshin shpejt, andaj prisheshin, niveloheshin dhe ndërtoheshin sërish në po të njejtin vend. Këto ndërtime të vazhdueshme e rritën gradualisht nivelin e qyteteve, të cilat u bënë më të ngritura në krahasim me pjesën tjetër të rrafshinës. Kodrinat artificiale që krijoheshin, të quajtura tell, gjëndeshin shpesh në Lindjen e Mesme Antike. Ndërtimet më të famshme dhe më mbresëlënëse sumere ishin ziggurat, platforma të gjera të tarracuara ku mbështeteshin tempujt. Kulla Biblike e Babelit ka mundësi të jetë ndërtuar në një mënyrë të tillë. Vulat cilindrike të Sumerëve, veç tjerash, vizatonin shtëpi të ndërtuara me kallama, jo ndryshe prej atyre të ndërtuara nga Arabët e Moçaleve të Irakut jugor deri në kohët e fundit. Për tempujt dhe pallatet sumere përdoreshin materialet dhe teknikat më të përparuara si, kundraforcat, kamaret, gjysmëkolonat dhe gozhdat e argjilit.
Kultura

Historiani Alan Marcus thotë: “Sumerët kishin një këndvështrim mjaft të zymtë mbi jetën”.

Një sumer shkruan: “Lotët, dhimbja, ankthi e depresioni janë brënda meje. Vuajtja po më mbyt. Fati i keq më mban peng, dhe tërheq mbas vetes tërë jetën time. Sëmundja e keqe përhapet në mua.”. Një tjetër shkruan: “Përse më konsiderojnë tw paditur? Ushqimi është gjithçka, dhe ushqimi im është uria. Në ditën kur janë ndarë pjesët për çdo gjë, pjesa ime ka qenë ajo e vuajtjes.”

LEXO EDHE:  Jeta e një prostitute luksi, kjo është historia e studentes 24-vjeçare

Edhe pse femrat mund të jetonin në kushte më të mira mes Sumerëve sesa mes qytetërimeve të tjera, kultura e vëndit mbetej kryesisht maskiliste.

Ekonomia dhe tregtia
Zbulimet e xhamave vullkanikë të ardhur nga vëndet e largëta të Anatolisë dhe Afganistanit, perlat nga Dilmun (Bahreini i sotëm), dhe mjaft vula që kanë përsipër mbishkrime të Luginës së Indos, na ofrojnë një rrjet të gjerë tregtish antike me në qendër Gjirin Persik. Poema e Gilgameshit i referohet tregtisë me zonat e largëta për materiale si druri, që gjendej me pakicë në Mesopotami. Në veçanti vlerësohej kedri i Libanit.Sumerët përdornin edhe skllevërit, dhe pse këta nuk ishin thelbësisht të rëndësishëm për ekonominë. Gratë-skllave punonin si endëse, ngjeshëse, amvisa e edhe si hamalle.

Poçarët Sumerë i pikturonin veprat e tyre me vaj kedri. Poçarët përdornin harkëtha prej druri që të përftonin zjarrin e nevojshëm për të pjekur vazot. Muratorët dhe argjendarët Sumerë njihnin dhe përdornin fildishin, arin, argjendin, galenën dhe lapislazulin.

Ushtria
Qytetet Sumere ishin të qarkuara me mure. Kur qytetet rrethoheshin, armiqtë nuk shkurajoheshin nga muret prej argjili, të cilat rrëzoheshin brënda një kohe të shkurtër. Ushtria sumere përbëhej kryesisht nga këmbësoria. Këmbësoria e lehtë përdorte sëpata lufte, thika dhe shtiza. Fanteria e rregullt përdorte edhe përkrenare prej bakri, tunika prej tirku dhe fustanella prej lëkure.
Ushtria sumere përdorte karroca që tërhiqeshin nga gomerë të egjër. Këto karroca të lashta ishin më pak të efektshme sesa strukturat e ardhshme, dhe mendohet se fillimisht qenë përdorur për transport, ndonëse grahësit e saj zotëronin sëpata lufte dhe shtiza. Këto karroca kishin katër rrota, dhe drejtoheshin nga dy persona që grahnin gomerët. Karroca përbëhej nga një shportë e thurur, dhe rrotat e saj ishin struktura me tre pjesë. Sumerët përdornin katapulta dhe harqe të thjeshtë, sepse harku i përkulur nuk qe shpikur akoma.

Religjioni dhe mitologjia sumere
Është e vështirë të flitet për një religjion Sumer si të tillë, ngaqë besimet dhe ritet ndryshonin shumë në kohë e në distancë, e çdo qytet kishte ndërthurjen e vet mitologjike dhe teknologjike. Sumerët adhuronin An-in, zotin e parajsës, Nammu, hyjneshën-nënë, Inanna, hyjneshën e dashurisë e të luftës (njëlloj si hyjnesha Akadike Ishtar), Enil, zoti i erës, e një varg zotash të tjerë. Zotat Sumerë (dingir, në shumës dingir-dingir ose dingir a-ne-ne)ishin secili i lidhur me qytete të ndryshme, dhe rëndësia religjioze shpeshherë vezullonte dhe errësohej simbas pushtetit politik të qytetit përkatës. Simbas besimit Sumer, zotat i kishin krijuar njerëzit nga argjili, për t’i përdorur mandej si shërbëtorë. Shpesh zotat shprehnin zemërimin dhe frustrimin e tyre nëpërmjet tërmeteve: thelbi i religjionit Sumer synonte bërjen me dije se tërë njerëzimi ishte nën mëshirën e zotave. Sumerët besonin se universi qëndronte mbi një disk të rrafshët të mbyllur nën një kupolë. Botë e përtejshme do të thoshte zbritje në një botë të përunjur inferiore, për të rrojtur përjetësisht në një ekzistencë të mjerë si një fantazëm (Gidim).

LEXO EDHE:  Historia e caktimit të kufijve të Shqipërisë në vitet 1925-1926

Tempujt Sumere përbëheshin nga një anijatë qendrore me korridore anash. Përgjatë korridoreve ishin dhomat e priftërinjve; në fundin e njerit prej korridoreve ishte një podium dhe një tryezë argjili për sakrifikimet e kafshëve dhe bimëve. Grunoret dhe magazinat zakonisht gjendeshin pranë tempujve. Mbas njëfarë periudhe, Sumerët patën filluar t’i ngulnin tempujt mbi kodrina artificiale, të tarracuara e me shumë shtresa: ziggurat.

Gjuha dhe shkrimi sumer
Sumerishtja është një gjuhë e izoluar, pra jo e lidhur me ndonjë tjetër gjuhë të njohur. Janë bërë shumë orvatje për të gjetur lidhje mes sumerishtes dhe gjuhëve të tjera, veçanërisht me ato të grupit Uralo-Altaik. Është një gjuhë veshtullore, ose, morfemat lidhen mes tyre për të krijuar fjalët. Një trashëgimi tekstesh shumë i gjerë (qindra mijëra shkrime) në gjuhën Sumere kanë mundur të mbijetojnë deri më sot; e për më tepër në pllaka argjili. Sumerishtja përdor shkrimin kuneiform, dhe është forma e shkrimit më antike që njihet deri më sot. Disa lloj tekstesh Sumere përmbajnë letra personale, letra tregëtie e marrëveshjesh, fatura, lista leksikore, ligje, himne e lutje, yshtje magjike, dhe tekste shkencore që lidhen me matematikën, astronominë dhe mjekësinë. Mbishkrimet monumentale dhe tekstet mbi objekte të ndryshme si statuja apo tulla, janë dhe shumë të zakonshme. Mjaft tekste ekzistojnë në shumë kopje, sepse ato përsëriteshin nga skribat për t’u ushtruar. Për të kuptuar shkrimin Sumer në ditët e sotme, është diçka e vështirë edhe për ekspertët. Më problematikët janë tekstet e para, që shpesh nuk e respektojnë plotësisht strukturën gramatike të gjuhës.

Kuriozitet
Sumerët, mbase, kujtohen kryesisht për shumë shpikje të tyre. Janë të shumtë ata që ua mveshin atyre meritën e shpikjes së rrotës. Shkrimi i tyre kuneiform mendohet të jetë i pari i këtij lloji, (sadoqë debatohet edhe rreth shkrimit antik europian),duke u paraprirë kështu edhe hieroglifeve egjiptiane me të paktën shtatëdhjetë e pesë vjet diferencë. Sumerët ishin ndër astronomët e parë. Ata shpikën karrocën dhe disa formacione ushtarake. Por mbi të gjitha Sumerët futën bujqësinë në Mesopotaminë antike. Këto shpikje dhe risi, bëjnë që Sumerët të klasifikohen mes kulturave më kreative në prehistori e në historinë njerëzore.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook