Pas katër vitesh që zotëronte 100% të Kylie Cosmetics, Kylie Jenner i shiti konglomeratës së bukurisë Coty mazhorancën e aksioneve.

Coty, që zotëron Covergirl, OPI, Rimmel, GHD dhe Clairol, bleu 51% të aksioneve të Kylie Cosmetics. Shitja e vlerësoi kompaninë e Jenner me 1.2 miliardë dollarë. Edhe pse Kylie nuk zotëron më shumicën e aksioneve, ajo dhe stafi i saj do të vijojnë të kenë në dorë drejtimin artistik, zhvillimin e produkteve dhe komunikimin me klientët.

“Jam shumë e lumtur që po bashkëpunoj me Coty për të arritur edhe më shumë fansa të Kylie Cosmetics dhe Kylie Skin në botë,” tha Jenner në një deklaratë për shtyp. “Partneriteti do të më lejojë mua dhe stafin tim të fokusohemi te krijimi dhe zhvillimi i produkteve teksa brandi bëhet më i fuqishëm ndërkombëtarisht.”

Coty ka në plan të përfitojë nga anët e forta të firmës që operon kryesisht online dhe nga potenciali për ta shndërruar në një emër të njohur gjithandej. Përveç produkteve të bukurisë dhe kujdesit ndaj lëkurës, Coty sheh një të ardhme edhe në tregun e parfumeve.

Përmes partneritetit me Jenner, Coty do të tregtojë produktet e Kylie Cosmetics dhe Kylie Skin në shitës të dytë kudo në botë. Sipas deklaratës për shtyp, Coty do të ofrojë njohuritë në kërkim dhe zhvillim, prodhim, shpërndarje dhe ekspertizë komerciale.