Ish-Kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, është nën hetim për pastrim parash. Burime brenda organit të akuzës konfirmojnë se Llalla po hetohet në Prokurorinë e Durrësit. 

Edhe pse Llalla u tërhoq nga privilegji ligjor për t’u zgjedhur gjyqtar pas përfundimit të mandatit si Kryeprokuror, duke sjellë kështu edhe ndërprerjen e procesit të vetingut ndaj tij, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka referuar dosjen e tij në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi ka pasur të dhëna se ish-Kryeprokurori kishte konsumuar veprën penale të “pastrimit të parave”.

Kështu, KPK-ja ka ndjekur të njëjtën rrugë si me ish-gjyqtarin e Kushtetueses, Besnik Imerajn, edhe pse nuk ka publikuar asnjë njoftim zyrtar. Dosja e Llallës është dërguar në Prokurorinë e Durrësit nga Prokuroria e Përgjithshme, si i vetmi organ i akuzës më afër me Prokurorinë e Tiranës. Kjo lëvizje është bërë që të shmanget çdo konflikt interesi në lidhje me hetimin e ish-numrit një të akuzës.

Hetimi

Prokuroria e Durrësit ka nisur punën për verifikimin e pasurisë së ish-Kryeprokurorit Llalla. Në dispozicion të hetuesve janë vënë deklaratat e pasurisë së Llallës dorëzuar në ILDKPKI. Gjithashtu, janë marrë nga hipotekat të gjitha dokumentacionet për pasuri të paluajtshme.

Objekt i hetimit do të jetë edhe shitja e një sipërfaqeje toke ullishtë prej 3 mijë metrash katrorë në Mjull të Bathores në Tiranë. Sipas deklarimeve në ILDKPKI të Adriatik Llallës, ai e ka shitur këtë pronë duke përfituar 250 mijë euro. Më 16 shkurt të këtij viti, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndërpreu procesin e vetingut për Llallën, por nuk bëri asnjëherë publik rezultatet.

LEXO EDHE:  4 emrat e mundshëm për Kryeprokuror, që do të zëvëndësojnë Adriatik Llallën

Vetë Kryeprokurorja Marku, në një intervistë për një studio televizive, la të kuptohej se hetimet ndaj ishKryeprokurorit mund të konkretizoheshin. Llalla pati përplasje të shumta me ambasadorin amerikan në Tiranë dhe këtë vit Departamenti Amerikan i Shtetit doli në një deklaratë publike, ku lajmëroi se SHBA-të ia kishin ndaluar hyrjen ish-Kryeprokurorit pasi dyshohej për afera korruptive. Zërat për hetimin e tij u përforcuan edhe më shumë, kur një burim diplomatik i tha “Deutsche Welle-s” se ishKryeprokurori ishte nën hetim për pastrim parash.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook