U miratua dhe ligji për pakicat kombëtare në mbyllje të një seance maratonë që nisi prej orës 8 të mëngjesit. Kundër këtij projektligji ishte Dule dhe LSI.

Projektligji mori 102 vota pro, 10 kundër dhe 1 abstenim.

Drafti parashikon njohjen e pakicës bullgare si minoritet, të cilët do kenë të njëjtat të drejta si 8 pakicat e tjera kombëtare si ajo greke, maqedonase, vllahe/arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake dhe serbe

Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule kundërshton ashpër ligjin për mbrojtjen e pakicave, duke thënë se drafti bën hapa pas në raport me konventën për mbrojtjen e minoriteteve

Ndërkohë Kryeministri Rama e ka mbrojtur ligjin, duke deklaruar se respekton minoritetet.

 Edi Rama:  “Vangjeli, ti e ke bërë rrugë të më citosh gabim, sa herë vë fjalët e mia në gojën tënde. Nëse nuk do të të njihja do të mendoja se e ke nga mendjeleshtësia, por duke të njohur si burrë të mënçur, ti je i qëllimshëm sa herë që vë në gojë gjëra që unë si kam thënë kurrë dhe sa herë  përpiqesh ti intepretosh për llogarinë tënde ato që unë them.

Së pari, ti je një minoritar dhe nuk je minoriteti dhe je gjithmonë e më pak përfaqësues i denjë i atij minoriteti të denjë, për të gjithë respektin që ne i kemi dhënë dhe për të gjithë respektin që i japim edhe me ligjin që kalojmë sot .Së dyti, Evropa, Vangjel nuk është as kishë, ku nuk vendoset në diskutim Zoti, as xhami ku nuk vihet në diskutim Allahu. Evropa është një kontinent ku ne jemi pjesë. Fakti që nuk jemi në Bashkimin Europian nuk na bën ne më pak evropianë dhe si evropianë ne kemi të gjithë të drejtën të themi çfarë mendojmë për Bashkimin Evropian, Vangjeli dhe kjo nuk përbën asnjë mëkat dhe asnjë arsye që zotrote të vish këtu edhe të më vendosësh mua në gojë gjëra që unë nuk i kam thënë kurrë.Kështu që mësoji këto gjëra. Ligji është krenari për këtë parlament mbasi të miratohet dhe arsye që të tjerët rreth nesh të mësojnë nga ne se si respektohen minoritetet.”

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook