Çdo person, që hedh në treg, prodhon, importon, apo fut në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, qese të lehta plastike mbajtëse, qese shumë të lehta plastike mbajtëse, si dhe qese plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme, sipas përcaktimit të pikës 3 të nenit 29, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në vlerën nga 1 000 000 (një milion) deri në 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë.

Qeveria shqiptare hedh për konsultim disa amendime në ligjin “Për disa shtesa në ligjin nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar” që parashikon shtrëngime administrative për importuesit, prodhuesit e madhe edhe përdoruesit e qeseve plastike. Në një prej amendamenteve thuhet:

Çdo person që përdor në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, qese të lehta plastike mbajtëse, qese shumë të lehta plastike mbajtëse, si dhe qese plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme, sipas përcaktimit të pikës 3 të nenit 29, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në vlerën nga 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 100 000 (një qind mijë) lekë.

Projektligji parashikon dispozita kalimtare për afatin e nxjerrjes jashtë qarkullimit të qeseve plastike deri në datën 1 shkurt 2020/1 qershor 2020.

Përveç afatit të shkurtër kohor, mbetet e paqartë sesi do të aplikohen këto gjoba ndaj njerëzve në rrugë, përderisa qeset tashmë janë gjendje dhe duhet një kohë për t’i nxjerrë nga qarkullimi.