Për dy të arrestuarit, Bexhet Musmuça dhe e dashura e tij, gjykata e Elbasanit ka vendosur t’i lërë në qeli. Çifti u ndalua për tentativë pengmarrje ndaj Aurel Gunit, vëllai i drejtorit të ALUIZNI-t.

Aurel Guni, ka deklaruar në polici se Musmuça kishte tentuar ta merrte peng për llogari të Çapjave, policia dhe prokuroria e Elbasanit nuk kanë ngritur një akuzë për “Heqje të paligjshme të lirisë” ndaj Musmuçës.

Musmuça ka dalë ditën e enjte para gjykatës së Elbasanit duke u përballur vetëm me akuzën e “Vjedhjes me dhunë” të makinës së Aurel Gunit dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Këtë akuzë policia ia ka ngritur pasi në xhepin e tij gjatë kontrollit fizik janë gjendur dy doza me heroinë.

Ai i ka pranuar akuzat në gjykatë dhe nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës ka kërkuar një masë më të butë nga trupi gjykues. Ndërkohë prokurori i çështjes Neritan Hoxha, ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, kërkesë kjo që është pranuar nga trupi gjykues. Të njëjtën masë sigurimi ka aplikuar gjykata dhe për të dashurën e Bexhet Musmuça, Fjola Cani, e cila është arrestuar për akuzën e “Kanosjes për të mos kallëzuar”, pasi rezultoi se kishte kërcënuar me jetë anëtarë të familjes së Gunit.

Policia e Elbasanit përmes një njoftimi të dytë për këtë ngjarje të rëndë tha se Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, arrestuan në flagrancë Bexhet Musmuça 39 vjeç pasi ky i fundit e ka goditur me sende të forta dhe i ka marrë automjetin Aurel Gunit. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprat penale, “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike.