Liverpooli ia la kryesimin vetëm dy orë Manchester Cityt, pasi në ndeshjen kryesore të javës së 34-t në Premier League mundi Chelsean 2-0.

Pas një pjese të parë pa gola, Sadio Manè dhe Mohamed Salah shënuan dy herë në harkun e dy minutave, duke zhvlerësuar çdo rezistencë që kishin bërë londinezët deri atëherë.

Goli i egjiptianit ishte një kryevepër që shkaktoi ovacione në “Anfield Road” për ekipin që kryeson, por që faktikisht ka luajtur një ndeshje më shumë sesa rivalët e “Citizens”.

Këta të fundit regjistruan një sukses të merituar 3-1 në fushën e Crystal Palace, teksa sprinti final i sezonit për titullin kampion në Angli ka hyrë në javët vendimtare.