Është caktuar se kur do të mbahet seanca e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) për rastin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili u dorëhoq nga e drejta për t’u emëruar në Apel.

Mësohet se seanca do të mbahet në 16 maj, në orën 10:00, ku LLalla do të paraqitet për të justifikuar pasurinë e tij.

KPK ndërpreu procesin për verifikimin e ish-kryeprokurorit, për shkak të dorëheqjes së tij.

Njoftimi
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, bazuar në nenin 65, pika 1 të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” njofton subjektet e procesit si dhe të gjithë personat e interesuar, se ditën e Mërkurë, në datën 16.05.2018, ora 10:00, do të gjykohet në seancë gjyqësore publike çështja Nr.1/2018(JR), datë 27.03.2018, për ankimin që Komisioneri Publik ka bërë kundër Vendimit Nr.2, datë 16.02.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit Zotin Adriatik Llalla.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve, në adresën Bulevardi Dëshmorët e Kombit Nr.6, Tiranë.

Trupi Gjykues, përbëhet nga gjyqtarët:

  1. Kryesues i Trupit Gjykues Sokol Çomo
  2. Relator i Çështjes Luan Daci
  3. Anëtar Albana Shtylla
  4. Anëtar Ardian Hajdari
  5. Anëtar Ina Rama

Kjo shpallje bëhet të paktën 15 ditë para datës së gjykimit, në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në ambientet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

LEXO EDHE:  Propozimi i ndërkombëtarëve për Kuvendin e Shqipërisë: Largoni Adriatik Llallën dhe zgjidhni kryeprokuror të përkohshëm

Ky njoftim bëhet gjithashtu në faqen e internetit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, si dhe në faqen e internetit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe, me njoftim individual në të dhënat elektronike të kontaktit të subjektit të rivlerësimit Zotit Adriatik Llalla të deklaruara në Komisionine Pavarur të Kualifikimit si dhe të dhënat elektronike të Institucionit të Komisionerëve Publikë.

Hetimi
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla po hetohet për “pastrim parash” nga Prokuroria e Durrësit. Hetimi ka nisur në Durrës, ashtu siç e parashikon ligji pasi është qyteti më i afërt ku punoi ish-kryeprokurori.
Për të nisur hetimet për Llallën janë marrë informacione nga ILDKPI, dhe zyrat notariale. Po ashtu mësohet se do të sekuestrohen kontratat e shitblerjeve të pasurive në kohën që Adriatik Llalla ishte Prokuror i Përgjithshëm.

Kujtojmë që për 5 muaj KPK hetoi rreth tij, por rezultatet e hetimit nuk u bënë kurrë publike pasi Llalla u tërhoq nga sistemi. Por me nisjen e hetimit Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të duhet të dorëzojë të gjitha informacionet e mbledhura për të tek grupi i hetimit.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook