Pak kohë pas vetëdorëzimit të Klement Balilit i cilësuar si “Eskobari i Ballkanit”, ka reaguar dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili në një dalje publike për mediat ka deklaruar se arrestimi sipas tij i Balilit është një mesazh për të gjithë shqiptarët se kjo është policia që duan.

“Policia shqiptare ka finalizuar një operacion të gjatë e të ndërlikuar për Klement Balilin. Nga sot Policia ka në duart e saj një nga personat e saj më të kërkuar, ndërsa qytetarët marrin një mesazh të rëndësishëm nga policia që duan. Rruga e vetme për ta është bashkëpunimi me drejtësinë, rrugë tjetër për ta nuk ka. Të gjitha institucionet janë sot të inkurajuara për të luftuar krimin dhe korrupsionin, për të mundësuar progresin e shpejtë drejt integrimit të vendit në BE. Procesi është rezultat i një bashkëpunimi të gjerë me partnerët tanë të cilët kanë mundësuar që Balili të dorëzohet në Policinë e Shtetit. Detaje nuk mund të japim.”- deklaroi ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj për mediat.