Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike kanë paditur në Prokurorinë e Tiranës, Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” për çështjen e prokurorit Bujar Sheshi.

LSI dhe PD pretendojnë se Arta Marku ishte në dijeni se Bujar Sheshi, sot anëtar i KLP-së ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, nisur nga fakti se është informuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Kërkesa  e tyre drejtuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, PD dhe LSI kanë kërkuar regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj Arta Markut për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim i detyrës”, të parashikuara nga neni 248 i Kodit Penal, si dhe kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme për sqarimin më të saktë e më të plotë të rrethanave të parashtruara.

Në mbështetje të neneve 240-243 të Kodit të Procedurës Penale, dy kryetarët e grupeve parlamentare PD dhe LSI bëjnë paraqitjen e kërkesës për marrjen e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” apo “ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale”, për personat e kallëzuar në këtë Kallëzim Penal, të cilët nëse vijojnë punën mund të prishin provat apo pengojnë hetimin.