Monika Kryemadhi, kryetare e LSI ka folur në  intervistën e parë politike pas marrjes së detyrës si e para e LSI ku u shpreh lidhur me qëndrimet e kësaj force politike. Ajo komentoi dhe dorëheqjen e nënkryetares së Bashkisë së Tiranës.

“Tërheqja e saj ishte një tërheqje politike për të bërë të qartë që ne tashmë në Bashkinë e Tiranës do të jemi në opozitë”, u shpreh Kryemadhi.

Kryemadhi deklaroi se dhe pse LSI do ndryshoj qëndrim  nuk do të ketë lëvizje kryetarësh te këshillave bashkiakë.

“Çdo kryetar këshilli apo çdo njeri i cili është i emëruar me votat bashkarisht duhet të zbatojë ligjin, duhet të zbatojë rregulloren e Këshillit Bashkiak, sepse ajo është që e bën të domosdoshme. Unë nuk mendoj që heqja e Monikës dhe vendosja e dikujt do të sillte ndonjë ndryshim. Ajo çka është e rëndësishme është që LSI do të jetë tashmë shumë prezente dhe shumë më aktive”, deklaroi Kryemadhi.

“Unë nuk dua të merrem fare me PD, të them të drejtën. Ne tashmë kemi pozicionin tonë, kemi strategjinë tonë, kemi paltformën tonë. Paltforma jonë është në koalicion të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe në shërbim të qytetarëve. E kam thënë edhe më parë se opozita nuk është çështje numrash, opozita është çështje morali”, shprehet Kryemadhi.

“Opozitë frontale pa asnjë lloj kompromisi. Frontale por edhe konstruktive, sepse opozitë nuk do të thotë të thuash jo për çdo gjë. Opozitë do të thotë të bësh opozitë dhe të japësh alternativa, të cilat janë në funksion të qytetarëve, janë për një jetë më të mirë për qytetarët dhe mbi të gjitha krijohet dhe një lloj stabiliteti jo vetëm politik por edhe ekonimik, financiar dhe njerëzor”, vijon Kryemadhi.