Analisti i njohur Fatos Lubonja ka qenë i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion” ka komentuar zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme Arta Marku.

Lubonja gjithashtu komentoi rreth deklaratës së bërë nga Ambasada Amerikane në Tiranë, për të cilën është mjaft skeptik dhe kritikues.

Fatos Lubonja i ka bërë thirrje shqiptarëve që të mos besojnë Ambasadorin Donald Lu, pasi sipas tij diplomati amerikan ka vënë një “bast” për reformën në drejtësi dhe kërkon me çmos që ta fitojë atë. Lubonja thotë se ashtu si edhe Donald Lu, nët të njëjtin “thes” është edhe ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin. Analisti thekson se dashur pa dashur, të dy ambasadorët po ndihmojnë që në Shqipëri të instalohet regjimi i “tre bandave”.

Kjo deklaratë është një mungesë e qartë sinqeriteti dhe reflektimi dhe përgjegjshmërie e ambasadorit Lu i cili prej kohësh ka vënë bast për reformën në drejtësi dhe bën sikur nuk e shikon dështimin e saj. Por në thelbin e vetë mendoj se ambasadori Lu dhe Brukseli, Vlahutin kanë vënë bast që ta paraqesin këtë reformë në drejtësi si një hap i madh dhe po ndihmojnë instalimin e një regjimi, të tre bandave. Kjo prokurori e kapur do përdoret nga dy bandat e tjerë.

Më tragjikja është që këtë proces ndërkombëtarët duan ta paraqesin si ecje para e Shqipërisë. Është një dështim që i bashkohet shumë dështimeve të tjera. Ambasadorit Lu do i kujtoja që në një shtet si SHBA, një psikopat, një kryetar shteti siç është Trump mund të heqë kreun e CIA-s imagjinoni çfarë ndodh në Shqipëri ku institucionet janë delikate.

LEXO EDHE:  Zhduket minorenia në Tiranë, babai jep alarmin

Ajo deklaratë nuk duhet marrë seriozisht, shqiptarët duhet të bëjnë me kokën e tyre. Ose nuk dinë asgjë ose bëjnë sikur nuk dinë asgjë. E kemi provuar edhe me ambasadorin Arvizu që donte të sillte armët kimike këtu. Nuk është hera e parë që ambasadorët dëmtojnë interesin e shqiptarëve”, deklaroi Lubonja.

Më poshtë deklarata e SHBA-ve e publikuar ditën e djeshme fill pas protestës së opozitës në Parlament dhe jashtë ambienteve të saj.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë dhunën që ndodhi në protestën e sotme në Tiranë. Ne mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike, hedhja e granatave tymuese në Parlament dhe dhuna nuk janë të pranueshme. Ne i bëjmë thirrje të gjitha partive që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të nxisin qetësi.
Populli shqiptar nuk duhet të habitet që politikanët e tyre po luftojnë njëri-tjetrin. Kjo do të thotë se reforma në drejtësi më në fund po zbatohet. Komisionet e Vetingut do të kenë së shpejti rezultatet e tyre të para. Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur. Së shpejti do të shohim krijimin e SPAK-ut dhe BKH-së, të cilat do hetojnë dhe ndjekin penalisht zyrtarë të korruptuar të nivelit të lartë. Qytetarët shqiptarë presin me padurim për drejtësi. Dhe politikanët kanë frikë.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook