Ardhja e dy letërporosive nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Skocia ka riaktivizuar hetimet për dosjen e lobimit, nga ku PD ka paguar 525.000 dollarë, ndërsa kompania “Biniatta Trade” 150.000 dollarë.

Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë se  më 21 mars do të merret në pyetje për herë të parë në këtë hetim, kreu i PD Lulzim Basha, për llogari të hetimeve që po ndërmerren në Shqipëri.
Do të rimerret në pyetje ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, të cilit i ka mbërritur një fletëthirrje për t’u paraqitur në Prokurori, edhe ai më 21 mars.

Po në të njëjtën datë do të ripyetet nga prokurori Gjergj Tako edhe financieri i kësaj force politike, Ilir Dervishi. Ndërsa Sekretari aktual i PD-së, Gazment Bardhi është ftuar të njihet me aktet e kësaj dosjeje, po më 21 mars.

Prokurorët shqiptarë shpresonin që në letërporosinë e ardhur nga Amerika të ishte edhe dëshmia e lobistit të PD-së, Nick Muzin.

Por, burime nga kjo prokurori thonë se, pala amerikane ka sqaruar në letërporosi se, për aq kohë sa Nick Muzin është nën hetim, dëshmia e tij nuk mund të dërgohet.

Nick Muzin është nën hetim nga FBI-ja, jo vetëm për vonesën e deklarimit në Departamentin amerikan të Drejtësisë, të shumës prej 150.000 dollarësh, paguar nga kompania “Biniatta Trade”, por më kryesorja, nëse me të vërtetë këto parà janë përdorur për lobim për  PD-në.

LEXO EDHE:  Dorëzimi i mandateve/ Basha e Nishani takim "kokë më kokë" për vendimin përfundimtar

Edhe në Skoci ka një hetim për pastrim parash, pasi kompania “Biniatta Trade” e ka selinë atje.

Ndërsa nga letërporosia e ardhur nga Skocia, prokurorët shqiptarë kanë përftuar të dhëna të reja dhe të panjohura më parë, se kush janë pronarët e vërtetë të “Biniatta Trade”, përveç dy shtetasve rusë, Evgeny Sheremetyev dhe Kostantin Ferulev, që sipas hulumtimit të “Mother Jones” zotërojnë 75 për qind të aksioneve të “Biniatta Trade”.