Investigimi i VOA-s dhe BIRN për blerjen e votave në Shqipëri në procesin e kaluar zgjedhor, nuk kanë faktuar fenomenin vetëm në Durrës por edhe në Lezhë e Dibër.

Një hetim i dytë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i nisur gjithashtu në vitin 2016 pas një kallëzimi të Partisë Demokratike për manipulim zgjedhjesh në Dibër ngre dyshime për përfshirjen e zyrtarëve lokalë dhe personave me precedentë në shit-blerje të votës, premtime për vende pune dhe në disa raste, edhe përmes kanosjes.

Pas kallëzimit janë vënë në përgjim rreth 20 numra telefoni, ku flitej për blerjen e votës, mes tyre janë dëgjuar edhe zyrtarë të lartë të PS.

Nga VOA
Prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, akuzat për lidhje të politikës me krimin dhe përfshirjen e grupeve kriminale në zgjedhje kanë qenë pjesë dominante e debatit politik në Shqipëri.
Partia Demokratike në opozitë i intensifikoi akuzat në zgjedhjet vendore të vitit 2015 dhe veçanërisht gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit 2017-kur Partia Socialiste mori e vetme mandatin për të qeverisur vendin.

Aludimet për blerje të votës u reflektuan edhe në raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it.
“Të dyja këto parti [Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim] treguan disa raste konkrete, por në mungesë të provave të mjaftueshme konkluduese, nuk paraqitën ndonjë ankim ligjor kundër rezultateve. Megjithatë, ato iu përmbajtën deklaratës së tyre të palëkundur se shkalla e blerjes së votës ishte e lidhur me sasi të mëdha parash të vëna në dispozicion nga kultivimi kriminal i drogës”, shkruhet në raport.

Një hetim i dytë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i nisur gjithashtu në vitin 2016 pas një kallëzimi të Partisë Demokratike për manipulim zgjedhjesh në Dibër ngre dyshime për përfshirjen e zyrtarëve lokalë dhe personave me precedentë në shit-blerje të votës, premtime për vende pune dhe në disa raste, edhe përmes kanosjes.

Procedimi me nr:184/2016 lidhet me zgjedhjet e kryera më 11 shtator 2016 në Dibër për të zgjedhur pasardhësin e Shukri Xhelilit-i shkarkuar pasi u kap mat në një video-regjistrim ndërsa kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune.

Por zgjedhjet e reja, të cilat nxorrën fitues mjekun socialist Muharrem Rama u përbaltën nga akuzat për shit-blerje të votës dhe përfshirje të personazheve me të kaluar të errët në zgjedhje.

Në prag të zgjedhjeve, Partia Demokratike dorëzoi një kallëzim penal ndaj një morie drejtuesish lokalë të policisë, drejtorisë së Arsimit, OSHEE-së, Tatimeve si dhe denoncoi publikisht Ymer Lalën, një personazh kontrovers me lidhje të forta në zonë.

Por dy vjet e gjysmë pas këtij kallëzimi, çështja me nr: 184/2016 kaloi gjithashtu nëpër duart e disa prokurorëve dhe nuk është finalizuar ende.
Ish-prokurori Gentian Trenova, i cili mori i pari në dorë kallëzimin e Partisë Demokratike kujton për BIRN se menjëherë pas kallëzimit u vendosën nën përgjim rreth 20 numra telefoni.

“Përgjatë ditëve 8, 9 dhe 10 shtator u përgjuan me dhjetëra telefonata, ku ndër të tjera flitej për blerjen e votës”, tha Trenova, i cili shtoi se mes bisedave të përgjuara ndodheshin edhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.

Trenova u largua nga çështja, pasi u transferua nga Krimet e Rënda në Prokurorinë e Apelit të Tiranës. Çështja ndodhet aktualisht mbi tavolinën e punës së prokurorit Klodian Braho.
BIRN mësoi se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë nën hetim drejtues të policisë në Dibër dhe Bulqizë si dhe zyrtarë të drejtorisë Arsimore apo të Tatimeve, të cilët dyshohet se janë përfshirë në mënyrë të paligjshme në proces zgjedhor, se kanë premtuar vende pune në këmbim të votës.
Megjithatë, njësoj si në dosjen me nr.339/1, edhe hetimi për manipulimin e votave në Dibër pengohet nga përgjimet voluminoze, pasi rreth 60 CD vazhdojnë të presin radhën për t’u zbardhur.

LEXO EDHE:  Dibër/ Ekzekutimi me tre plumba në oborrin e shtëpisë, arrestohet autori

Minimi i zgjedhjeve
Përfshirja e “individëve të fortë” në zgjedhjet shqiptare nuk është një fenomen i ri. Që pas rënies së regjimit komunist dhe hapjes së vendit ndaj zgjedhjeve pluraliste, partitë politike kanë kërkuar herë pas herë edhe “muskujt” në garat kundër kundërshtarëve.

Megjithatë, ekspertë dhe monitorues të sistemit zgjedhor në Shqipëri shprehen të shqetësuar për përhapjen e fenomenit pas zgjedhjeve të vitit 2013 si dhe sofistikimin e mënyrës sesi krimi i organizuar dikton në zgjedhje.

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike i tha BIRN se monitoruan këtë aspekt në zgjedhjet e vitit 2017 dhe rezultoi se në disa zona specifike, roli i grupeve kriminale në fushatë ishte edhe më i madh se ai i partive politike.

Krasniqi rendit Dibrën, Elbasanin, Shkodrën, Durrësin, Kavajën dhe Lezhën si zona më problematike.

“Fillimisht patëm sponsorizim të botës së krimit ndaj politikanëve lokalë që duan të merren me politikë, më pas kaluam në kandidim të vetë elementëve kriminalë në zgjedhje. Në fazën e tretë kemi të dy fenomenet, sponsorizim dhe kandidim,“ tha Krasniqi për BIRN.

Ndërsa Dritan Taulla, zv.kryetar i Shoqatës KRIIK argumenton se forcimi i lidhjeve politike ka ardhur me evoluimin e aktivitetit kriminal dhe fuqizimin ekonomik të individëve të implikuar në krime.

“Kanë evoluar edhe format e mbështetjes ndaj politikës, derisa në vitin 2013 pati një numër të konsiderueshëm personash me precedentë penalë në funksione publike (përfshi parlamentin), ç’ka shpuri në nevojën emergjente për dekriminalizim,” tha Taulla.

Ekspertët Krasniqi dhe Taulla rendisin një mori formash të përfshirjes së krimit të organizuar në zgjedhje, që lidhen kryesisht me përcaktimin e komisionerëve, financimin e kandidatëve të caktuar, përfshirjen direkte në tregtimin e votës apo intimidimin e zgjedhësve apo komisionerëve të partive kundërshtare.

“Në këmbim ata fitojnë “imunitet politik” apo përfitime ekonomike përmes pjesmarrjes së tendera publikë,” tha Krasniqi.

Përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje fajësohet edhe për humbjen e moralitetit dhe të integritetit politik në Shqipëri. Ekspertët kujtojnë përgjimet e publikuara të kryebashkiakut Dako dhe reagimin e këtij të fundit, si anashkalim të moralitetit politik, të llogaridhënies dhe përgjegjësisë.

“Për më tepër, mungesa e një reagimi publik nga partia në emër të së cilës kryebashkiaku Dako është zgjedhur, sugjeron se kjo nuk është thjesht një qasje personale e tij,” tha Dritan Taulla për BIRN.

Krasniqi bie dakord, ndërsa shton se lidhjet mes krimit dhe politikës kanë dëmtuar shtetin dhe integritetin e tij.

“Ata kanë krijuar idenë përgjithshme se në demokraci gjithcka është në shitje. Sot është krijuar ideja se askush nuk mund të fitojë në zgjedhje nëse nuk merr mbështetjen e grupeve të tilla,” përfundoi Krasniqi. /BIRN/