Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, në datën 12.06.2018 ka regjistruar sot procedimin penal nr.4628 që bën fjalë për veprën penale “Shpërdorim të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Dy farmacistët e identifikuar si shtetasit, Petrit Nezir Skura dhe Gazmend Pajtim Aliaj, ndaj të cilëve rëndojnë akuzat e “Mashtrimit kompjuterik” dhe “mashtrimit në subvencione”, janë ndaluar me urdhër të Prokurorit Ervin Karanxha.

Kjo ngjarje ka të bëjë me dyshimin e krijuar se farmacitë me vlerën e rimbursimit më të madh për vitet e fundit, siç janë Bioplus, Medigreen dhe Geni & Lori, nëpërmjet mashtrimit kanë përfituar fonde dhe subvencione nga shteti, duke përfituar nga fakti se kanë kontrate me FSDKSH-në, për rimbursimin e ilaçeve që ata shesin.

Dyshime të arsyeshme ekzistojnë edhe se në rastin konkret janë konsumuar elemente të veprës penale të “mashtrimi kompjuterik”, parashikuar nga neni 143/b i Kodit Penal dhe “mashtrimi në subvencione”, parashikuar nga neni 144 i Kodit Penal.

Mendohet se ka shkaqe të bazuara për rrezik largimi, për shtetasin Petrit Nezir Skura, duke bërë të domosdoshëm urdhërimin e ndalimit të këtij personi.

Në lidhje me “rrezikun e largimit”, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë (Vendim Unifikues Nr.7, datë 14.10.2011) janë shprehur se: “ ky rrezik, krahas elementëve të tjerë, mund të lidhet e të rezultojë edhe nga vetë natyra e akuzave në ngarkim të të gjykuarit, nga rëndësia e faktit, e sanksionit për veprën penale dhe lloji e shkalla e pasojave të ardhura prej saj.

LEXO EDHE:  1.3 ton kanabis në Kavajë, Prokuroria merr vendimin për 5 të pandehurit

Prej tyre mund të arrihet në përfundimin logjik juridik, në trajtën e probabilitetit të arsyeshëm apo edhe të sigurisë, mbi mundësinë apo përgatitjen reale dhe efektive të ikjes, nëse nuk ndërhyhet për ta izoluar të pandehurin.” Mbështetur në të dhëna të bazuara se personi dyshohet për një krim dhe ka rrezik të largohet për t’i shpëtuar procedimit, në bazë të nenit 253/1 të Kodit te Procedures Penale, Prok.Karanxha urdhëroi Ndalimin e shtetasit Petrit Nezir Skura, i datëlindjes 01.08.1948, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “mashtrimi kompjuterik” dhe “mashtrimi në subvencione”, parashikuar nga neni 143/b dhe 144 i Kodit Penal;

-Ndalimin e shtetasit Gazmend Pajtim Aliaj, lindur në Delvinë, i datëlindjes 16.02.1976, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “mashtrimi kompjuterik” dhe “mashtrimi në subvencione”, parashikuar nga neni 143/b dhe 144 i Kodit Penal;