Një biznesmen në Lushnjë u zgjua në orën 5 mëngjesin e së dielës, pasi argjendaria që kishte poshtë shtëpisë u grabit nga 4 persona. Ai dëgjoi alarmin dhe doli në ballkon ku pa disa persona me maska në kokë që sapo i kishin marrë rreth 100 milionë lekë flori dhe argjend.

“Maskat” i kishin thyer xhamin e qepenin mbrojtës dhe brenda 2 minutave arritën të marrin sendet me vlerë. Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit të Lushnjës dhe Policia nuk arriti të arrestonte asnjë prej autorëve. Pak orë më vonë 3 ushqimore dhe minimarkete u grabitën në Tepelenë. Dy persona të maskuar kanë arritur të marrin paketat me cigare me vlerë rreth 5 milionë leke si dhe disa sende të tjera me vlerë brenda minimarketit.

Ndërkohë në dy ushqimoret e tjera u morën paratë e xhiros ditore. Pak ditë më parë maskat u futën në banesën e Elton Kelmendit në Shkozet të Durrësit. Ata vodhën 10 mijë euro si dhe për të qenë të sigurt për pak momente rrëmbyen edhe djalin e mitur të Elton Kelmendit. MAPO u interesua në Policinë e Shtetit për këto ngjarje, ku rezulton se 20 ditët e para të 2019-s kanë ndodhur 123 grabitje të bizneseve dhe banesave.

Një shifër alarmante që tregon se maskat janë rikthyer në vend dhe sot nuk kemi të arrestuar asnjë prej autorëve. Të ndaluar nuk janë edhe 4 personat që u futën brenda një qendre tregtare të njohur në Tiranë në 2 janar dhe grabitën një tjetër argjendari. Në këtë goditje u morën rreth 200 mijë euro flori dhe argjend.

Reagojnë ekspertët
Ish-drejtuesit e Policisë dhe ekspertët kriminalistike e shohin rikthimin e maskave në vend si një kambanë alarmi që shteti duhet të reagojë menjëherë. Ish-drejtuesi i policisë, Mithat Havari thotë se maskat kanë ridalë në skenë për shkak të paaftësisë së Policisë.

LEXO EDHE:  Grabitet shtëpia e Gjiknurit, një shumë e madhe parash vidhet

“Këto grabitje kanë ndodhur për shkak të fjetjes gjumë të drejtuesve të Policisë. Sot drejtuesit e Policisë duhet të jenë në krye të detyrës dhe në terren, por kjo nuk ndodh. Kjo është dhe arsyeja pse maskat kanë ridalë sërish në skenë, sepse Policia nuk po i godet. Situata është e rëndë, për të mos thënë duhet të themi kambanë alarmi. Ndërrimi i ministrave bën që drejtuesit e policisë të mos jenë të sigurt në postet e tyre. Rikthimi i ish-drejtuesve të Policisë nuk ka asnjë vlerë, pasi janë njerëz që kanë humbur kontaktet me terrenin”, shprehet Mithat Havari.

Ditët e fundit është kthyer në trend edhe grabitja e bankomateve të bankave private. Dy bankomate në Vorë dhe në Kamzë u thyen brenda pak ditësh dhe autorët përdorën të njëjtën skemë, maskën në kokë për të mos u zbuluar. Gazeta MAPO u interesua zyrtarisht edhe pranë Policisë së Shtetit për të marrë një reagim për situatën, por Uniformat Blu zgjodhën të mos japin një prononcim.

Çfarë grabitet?
Maskat kanë në fokus sendet me vlerë. Kryesisht vendosin të grabisin bizneset. Përveçse marrin paratë e xhiros ditore arrijnë të vjedhin edhe sende me vlerë si kolite me cigare apo çdo gjë tjetër që gjejnë në brendësi të biznesit. Përveç bizneseve banesat private vijojnë të mbeten objektiv. Sipas të dhënave zyrtare të Policisë në 20 ditët e para të 2019-s janë grabitur më shumë se 55 shtëpi, kryesisht vila private por edhe apartamente.