Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ka reaguar në lidhje me procesin e Vettingut, duke sulmuar kryeministrin Rama.

Nëpërmjet një statusi në “Facebook”, Vasili shkruan se kryeministri do që të bllokojë Vettingun.

Teksa i “sqaron” kryeministrit Rama se Vettingu është i pavarur dhe jo pronë e tij, Vasili ironizon mbledhjen e sotme të grupit të PS duke e quajtur gajasëse Marrëveshjen e Mirëkuptimit.

Statusi i Vasilit

“Kryeministri i paditur, që do të bllokojë vetingun.

Kryeministri tha sot: “Vetingu nuk është çështje numrash, por strukturimi”.

E para: Ky kryeministër duhet sqaruar, që megjithëse ai e do për vete, vetingu është i pavarur dhe jo pronë e tij.

Së dyti: Ky kryeministër ka një ushtri parazitësh rreth vetes me 650 vetë, atëherë pse e pengon vetingun të permbushë kërkesat më minimale dhe i shkurton 70 vetë? Është i paditur dhe e urren vetingun, ndaj e pengon të funksionojë.

Së treti: Shqiptarët nuk presin drejtësinë dhe vetingun nga kryeministri, që mbushi me drogë Shqipërinë, por presin drejtësine që SHBA dhe BE kërkojnë.

Së katërti: Vetingun nuk e vendos dot as muhabeti bajat dhe as marrëveshjet gajasëse që bën qeveria me qeverinë, alias grupin parlamentar të Partisë Socialiste, por Kushtetuta dhe ligji.”

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook