Mercedes-Benz X-Class është një nga modelet më të veçantë të Mercedes-Benz dhe gjigandi i prodhimit  po investon fuqishëm për të qenë zgjedhja e pare.  Kompania mëmë Daimler AG beson në suksesin e X-Class, i hedhur në treg gjatë vitit 2018.

Për të promovuar këtë model, javën e kaluar Daimler AG ftoi një grup gazetarësh dhe fotoreporterë nga mediat ndërkombëtare, në një udhëtim fantastik në male në lindje të Shqipërisë. Të ndarë në pesë modele X-Class 350 d 4Matic, të pajisur me motorë turbocharged me 3.0 litra, gazetarët e apasionuar të makinave, shijuan bukuritë dhe terrenet e vështira të maleve të Shqipërisë.

Kjo zgjedhje eshtë dhe një bashkëpunim i Mercedes-Benz me përfaqësitë lokale, Auto Star Albania dhe një raport besnikërie që kompania i kushton rëndësi. Për drejtuesit e Mercedes-Benz, në një farë mënyrë është një ‘dashuri” e dyanshme, një mirënjohje për njerëzit e dashuruar me Mercedes-Benz dhe modelet e saj. Një ‘mirënjohje’ që në fakt është dhe një promovim fantastik i bukurive të natyrës së Shqipërisë në mediat ndërkombëtare.

Mercedes-Benz e mendoi të arsyeshme ta sillte X-Class në Shqipëri, vec te tjerash edhe në një udhëtim fantastik në “Rrugën e Mbretit”. X-Class është i pajisur me sistemin 4Matic me katër rrota aktive të Mercedes-Benz. Si pjesë e opsioneve të mënyrës së drejtimit, drejtuesi i mjetit gjithashtu mund të zgjedhë opsionin “Off-Road”, i cili përshtat automatikisht fuqinë e motorrit për terrene dhe kushte të vështira. Dhe kjo e bën udhëtimin më efikas, sidomos në kushte tejet të vështira.

Edhe para pak vitesh, Mercedes-Benz zgjodhi alpet e Shqipërisë për promovimin e GLE-së, një prej fouristradave më të shitura dhe më të pëlqyera të Mercedes-Benz.