Artan Lame, kreu i ALUIZNI-t, ka dalë sot në një deklaratë për mediat, dy ditë pasi Presidenti i Republikës Ilir Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për Kadastrën.

Lame tha sot se, në 14 faqe të Presidencës kundër ligjit nuk kishte asgjë dhe asnjë argument. Ai i ka numëruar Presidentit Meta, institucionet e rëndësishme në vend që janë pa çertifikatë pronësie përfshirë dhe Presidencën dhe Kryeministrisë.

“Dje Presidenti i Republikës ktheu për shqyrtim ligjin për kadastrën. Zoti Ilir Meta është President i Republikës por godina e Presidentit nuk ka çertifikatë pronësie dhe as salla e Kuvendit. As ministria e Jashtme e ndërtuar në vitet 70 nuk ka çertifikatë pronësie. As godina e Kryeministrisë e ndërtuar që në kohën e Italisë në 1940 nuk ka çertifikatë pronësie. Janë edhe 600 mijë prona private pa regjistruar”, deklaroi Lame.