Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u ka bërë apel qytetarëve që të verifikojnë vlefshmërinë e kartës së identitetit dhe të pasaportës nëse ju skadon në gjysmën e parë të vitit 2019.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri Lleshaj bën apel që qytetarët të paraqiten për të bërë aplikimin për dokumentet e reja, në të kundërt do të kufizohen në marrjen e shumë shërbimeve në institucionet e vendit.

“Pajisja me kartat e identitetit dhe pasaportat e reja për shumë qytetarë, të cilëve ato u skadojnë në gjysmën e parë të vitit 2019, është një prioritet i rëndësishëm.

Qytetarët duhet të informohen për datën e skadimit të dokumenteve, pasi me të lidhet fati i shumë shërbimeve të rëndësishme. Zyrat e Gjendjes Civile janë në dispozicion për të informuar dhe ndihmuar qytetarët.

Neglizhenca për të kryer detyrimin e pajisjes me dokumentet bazë të identifikimit mund të krijojë probleme për marrjen e shumë shërbimeve të rëndësishme, që nga udhëtimet jashtë vendit e të tjera.

Institucionet do të kushtëzojnë dhënien e shërbimeve, për personat që janë në muajt e fundit të vlefshmërisë së dokumenteve, me paraqitjen e vërtetimeve mbi aplikimin për dokumentin e ri.

Ndaj lutem, verifikoni dokumentet e identitetit dhe mos harroni t’i bëni shërbimin e duhur vetes”, shkruan ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.