Një 30-vjeçar nga Mirdita është arrestuar nga policia, pasi pas një sherri me fqinjin e ka kërcënuar dhe më pas ka qëlluar me breshëri automatiku në ajër duke terrorizuar fshatin.

Policia bën me dije se është në orët e vona më 6 gusht, ka marrë një telefonatë nga ku është njoftuar se te banesa e shtetasit L.M., 24-vjeç, në fshatin Shtuf, në Kaçinar-Mirditë, një person po qëllon me armë zjarri.

Shërbimet policore kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje ku kanë filluar hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorit, shtetasit Viktor Gjoka, 30-vjeç, i cili pas një konflikti verbal e më pas fizik, për motive të dobëta ka qëlluar me armë fqinjin e tij L.M dhe më pas u largua duke u fshehur.

Në sajë të informacioneve të marra, shërbimet policore kanë bërë të mundur arrestimin e 30-vjeçarit gjatë një operacioni të mirëorganizuar, ku iu sekuestruan nën cilësinë e provës materiale një armë zjarri, automatikm, një krehër dhe 48 fishekë.

Njoftimi i Policisë

“Më datë 06.08.2017, në orët e vona të darkës, është marrë njoftim te Salla e Komandimit Mirditë , se te banesa e shtetasit L.M. 24 vjeç , në fshatin Shtuf , në Kaçinar – Mirditë , një shtetas po qëllon me armë zjarri.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore , ku kanë filluar hetimet për zbardhjen e ngjarjes e kapjen e autorit.

Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasi V.Gj, 30 vjeç , banues në fshatin Shtuf, në Kaçinar – Mirditë , pas një konflikti verbal e më pas fizik , për motive të dobëta me shtetasin L.M. , ka qëlluar me armë zjarri në afërsi të banesës së këtij të fundit , dhe më pas është larguar duke u fshehur.

Në vijim të një pune policore të bazuar në informata të marra në rrugë policore për lokalizimin e autorit , si dhe një operacioni të mirëorganizuar krehje zone , me datë 07.08.2017, bë i mundur kapja në flagrancë e shtetasit V. Gj, së bashku me armën e zjarrit me të cilën dyshohet se ka qëlluar.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, një krehër dhe 48 fishekë.

Shtetasi V.Gj, u arrestua në flagrancë për veprat penale ” Kanosje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit” parashikuar nga nenet 84 dhe 278 te Kodit Penal.

Materialet proçeduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme.”