Stafi i mjekëve në Spitalin e Durrësit kanë dalë sot në protestë duke u solidarizuar me kolegun e dhunuar dy ditë më parë, Gerald Kola.

Mjekët thonë se ndihen të kërcënuar çdo ditë gjatë ushtrimin të profesionit të tyre. Ata kanë pezulluar punën për 1 orë dhe kërkojnë mbrojtje nga strukturat për të ushtruar detyrën në shërbim të qytetarëve.

Kujtojmë se mjeku Gerald Kola u godit nga pacientët teksa ushtronte detyrën e tij në repartin e urgjencës në spitalin e Durrësit, pas një konflikti mes dy personave që ishin të dehur, të cilët kishin shoqëuar një prej të afërmve të tyre.

Lidhur me këtë ngjarje gjatë ditës së djeshme pati dhe një reagim nga drejtoresha e spitalit të Durrësit Nadire Kërtusha, e cila kërkoi ashpërsimin e masave të dënimit, për personat që ngrenë dorë mbi mjekët.

Po ashtu ka pasur një reagim dhe nga Ministria e Shëndetësisë, e cila po përgatit të gjitha procedurat për kufizimin e orareve të vizitave nga ana e familjarëve, si dhe rezervimin e vendeve të posatshme, se ku ata mund të qëndrojnë, brenda spitaleve.