Kulinaria shqiptare është mjaft e pasur me gatime tradicionale, me të cilën e gjithë Shqipëria krenohet.

Të përbëra me brumë të freskët dhe pa substanca artificiale, jufkat dibrane janë krenaria e çdo amvise shqiptare.

Jufkat përgatiten me vezë, më pas i jepet forma sipas dëshirës dhe më pas thahen.

Për një drekë të shijshme pranë familjes tuaj ju sugjerojmë recetën tradicionale dibrane të tavës së jufkave me pulë.

(Përbërësit e kësaj recete janë për 4-5 persona)  

1 pulë e vogël

1 kokërr qepë

400 gr jufka

Dy lugë gjelle gjalpë ose katër lugë vaj ulliri

Kripë

Përgatitja

Pastrojmë me ujë të rrjedhshëm pulën dhe e vendosim në një tenxhere me ujë dhe kripë që të zjejë për jo më shumë se 20 minuta.

Qërojmë qepën dhe e grijmë shumë hollë. Në një tigan hedhim gjalpin ose vajin e ullirit dhe shtojmë qepët duke i kavërdisur derisa volumi i tyre të bjerë.

Më pas shtojmë jufkat dhe i kavërdisim gjithashtu përreth 4-5 minuta.

Pasi kanë marrë një ngjyrë të artë i heqim nga zjarri dhe shtrojmë në tavë, vendosim copat e pulës së prerë sipër.

Shtojmë lëngun e pulës derisa jufkat të mbulohen, i spërkasim me pak gjalpë dhe i fusim në furrë të ngrohur më parë duke i lënë të piqen përreth 15 minuta derisa lëngu i pulës të ketë shteruar.