Vendimi i Presidentit Meta në lidhje me mosdekretimin e të riut nga Kosova Gent Cakaj në postin e Ministrit të Punëve të Jashtme për Shqipërinë ka ngjallur shumë polemika dhe debate në të dyja vendet.

Ndërkohë tre ditë pas këtij vendimi Shqipëria po “gëlon” nga debati Rama-Meta në lidhje me këtë çështje, ku reagimet e palëve por jo vetëm, kanë mbushur faqet e para të çdo gazete në vend.

Ditën e sotme Presidenti Ilir Meta ka shpërthyer sërish në ironi pas deklaratave po ironike të kryeministrit Rama.

Në një postim në Facebook Meta shprehet se Ministria e Jashtme e Shqipërisë nuk mund të kthehet në një autoshkollë, ku sipas tij “Ustai i madh kërkon të mësojë “gjeniun” si të ndryshojë kufijtë e të gjithë Ballkanit Perëndimor”.

“Sot, në momente të rëndësishme të sfidave tona rajonale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë nuk mund të kthehet në autoshkollë 🚗 ku ustai i madh kërkon të mësojë “gjeniun” si të ndryshojë kufijtë e të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Partia Socialiste ka kapacitete të jashtezakonshme në fushën e politikës së jashtme dhe Shqipëria ka shumë diplomatë të sprovuar, të cilët mund të vendosen në drejtimin e politikës sonë të jashtme, pa kaluar nga autoshkolla 🚗 e ndryshimit të kufijve në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Shqipëria🇦🇱 do jetë gjithmonë faktor paqe e stabiliteti në rajon.
Shqipëria🇦🇱 do ketë një lidership të besueshëm edhe në kryesimin e OSBE-së.
SHQIPËRIA E PARA.🇦🇱”, ka shkruar Presidenti i vendit, Ilir Meta në Facebook.