Kapiteneria e Portit Detar të Durrësit ka njoftuar mbi gjendjen e shkaktuar nga moti i keq me erëra të forta dhe dallgëzim në det, si dhe për tragetet e linjës Durrës-Bari.

Era është e fuqishme dhe shkon deri ne 20 m/s ndërsa lartësia e dallgës 8 deri 9 ballë në det të hapur.

Burime nga Kapiteneria e Portit kanë thënë se tragetet që duhet të niseshin mbrëmë, sipas orarit, janë nisur mëngjesin e sotëm në drejtim të Barit. Të gjithë pasagjërët kanë qendruar dhe janë akomoduar në dhomat e trageteve, ku u është siguruar dhe darka.

Të dy tragetet janë nisur drejt Barit rreth orës 7:00 të mëngjesit të sotëm, pra me shumë orë vonesë.

E njëjta situatë edhe për tragetet që do niseshin nga Bari në drejtim të Portit të Durrësit, janë nisur mëngjesin e sotëm në drejtim të brigjeve shqiptare.

Aktualisht, situata vijon të jetë e përkeqësuar dhe në monitorim të vazhdueshëm nga autoritetet detare.

Anijet e tonazhit të mesëm dhe ato të peshkimit nuk janë lejuar të dalin për aktivitet të përditshëm lundrimor, deri në përmirësimin e kushteve meteorologjike.

Lundrimi qëndron i pezulluar edhe për anijet e tjera të lundrimit të cilat janë ankoruar në vendstrehime për t’ju shmangur përplasjeve nga era.