Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të pranojë kërkesën për gjykim të shkurtuar për Kelmend Balilin.

U fol se procesi për të cilësuarin si Eskobari i Ballkanit, do të përmbyllej në vetëm pak seanca, por nuk po ndodh ashtu. Balili dhe avokati i tij Theodhori Sollaku kanë munguar sërish sot në sallën e gjyqit duke e shtyrë sërish pretencën.

Avokati i Balilit nuk ka treguar arsyet e mungesës së sotme. Ndërsa gjatë seancës së kaluar mungesën e justifikoi me disa probleme shëndetësore.

Avokati i caktuar kryesisht Remzi Ponari kërkoi kohë për t’u njohur me dosjen. Ndërkohë  gjykata vendosi të pezullojë dhe afatet e paraburgimit për Klement Balilin.

Seanca e radhës u caktua me 2 prill.

Në vendimin e ndërmjetëm gjykata arsyetoi se kërkesa nga i pandehuri është bërë brenda afateve ligjore dhe çështja mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet. Në këto kushte, nëse ish-drejtori i Transporteve shpallet fajtor nga drejtësia, ai përfiton menjëherë ulje të një të tretës së dënimit. Pas këtij vendimi, gjykata ftoi prokurorinë që të përgatisë konkluzionet përfundimtare.

Ish-zyrtari i lartë akuzohet për trafik narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, fshehje të pasurisë dhe pastrim të parave. Si prova fajësie u renditen përgjimet telefonike të realizuara nga autoritetet greke në kuadër të një hetimi që po kryhej atje për një organizatë kriminale që trafikonte hashash e kokainë.