Pavarësisht se tri parti opozitare kanë paraqitur kërkesë zyrtare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për nisjen e procedurave për organizimin e zgjedhjeve vendore në 13 tetor, brenda saj janë skeptikë nëse ato do të mbahen. Një prej tyre është edhe kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i cili shprehet se nuk ka besim se zgjedhjet vendore do të mbahen në 13 qershor.

Sipas tij kjo bëhet e pamundur për shkak se qeveria qeveris në kushtet e një grushti shteti dhe ku KQZ si vegël e saj nuk pranon të zbatojë Kushtetutën. Gjithsesi ndryshe nga sa deklaronin gati dy muaj më parë duket se e gjithë opozita ka hequr dorë nga kushti që kishte që nuk do të futej në zgjedhje me Ramën kryeministër. Sipas Ndokës opozita është e gatshme që të futet sot në zgjedhje me apo pa Ramën kryeministër.

“Ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje në çdo datë me këtë dhe pa këtë kryeministër, por nuk është morale as politike t’i besosh organizimin e zgjedhjeve një kryeministri që është kapur duke i vjedhur dhe blerë ato, me ministrat dhe deputetët e tij së bashku me grupet kriminale”, – shprehet Ndoka. Sa I përket aksionit opozitar kryedemokristiani thekson se ai ishte i suksesshëm, sepse e bëri popullin që të mos besojë më te qeveria dhe ta shohë të djathtën si shpresë për të ardhmen. “Unë besoj shumë se opozita është kthyer në mazhorancë shprese, pikërisht nga kjo rrugë që ndërmori. Kemi fituar qytetarët, kemi humbur pushtetin, do fitojmë standardet dhe do të kthehemi serish në institucione nëpërmjet votës së lirë. Kjo është rruga me parimore, qe një lider dhe opozitë ka ndjekur në pluralizëm”, – tha Ndoka.Zoti Ndoka, Presidenti i Republikës dhe disa parti opozitare vijojnë të këmbëngulin për mbajtjen e zgjedhjeve vendore në 13 qershor. Por, nga ana tjetër, qeveria dhe institucionet që kanë detyrimin për organizimin e zgjedhjeve nuk e njohin këtë datë dhe e konsiderojnë të mbyllur kapitullin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri. Çfarë do ndodhë më tej, besoni se zgjedhjet do të realizohen?
Nuk besoj se zgjedhjet do të zhvillohen me 13 tetor, kjo mazhorancë po qeveris në kushtet e një grushti shteti institucional. KQZ nuk zbaton ligjin e Kushtetutën, por urdhrat politikë të kryeministrit. Gjykatat janë në kaos total dhe në mjerimin më të madh që sistemi i drejtësisë ka patur ndonjëherë. Qeveria dhe Kuvendi nuk njohin institucionin e Presidentit, KQZ nuk zbaton dekretin, në këto kushte zgjedhjet janë totalisht të minuara dhe të pamundura për t’u realizuar.

Si mund të realizohen një palë zgjedhje kur qeveria është kundër?
Mund të realizohen, vetëm kur qytetarët dhe opozita të largojë këtë kryeministër. Edi Rama po mban peng zgjedhjet, integrimin dhe të ardhmen tonë si komb.
Ndërkohë që vetëm 3 parti iu drejtuan KQZ-së që të nisë procedurat për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Pse nuk ishin të gjitha partitë opozitare në bllok për këtë kërkesë?
Kërkesa është formale, mbasi jemi të qartë tek rruga që ka zgjedhur mazhoranca dhe Edi Rama për pushtimin e 61 bashkive në vend. Kauza e opozitës, e drejta e qytetarëve do triumfojë përballë arrogancës dhe dhunës institucionale të Edi Ramës.

Opozita e bashkuar është e gatshme që të shkojë në zgjedhje në 13 tetor edhe me Ramën kryeministër?
Ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje në çdo datë me këtë dhe pa këtë kryeministër, por nuk është morale as politike t’i besosh organizimin e zgjedhjeve një KM që është kapur duke i vjedhur dhe blerë ato, me ministrat dhe deputetët e tij së bashku me grupet kriminale. Nuk mund t’i varen ujkut mëlçitë në qafë!

Po kryetari i PD-së ça qëndrimi ka mbajtur për këtë çështje, është ai i gatshëm të hyjë në këto zgjedhje pa kushte?

Lideri i opozitës së bashkuar, z.Basha është i gatshëm të hyjë që nesër në zgjedhje, por standardet e zgjedhjeve dhe vota e lirë është kauza që ai po mbështet si premtim tashmë të dhënë përpara kombit, botërisht.

Ndërkohë që në anën tjetër kryetarët e rinj të bashkive kanë marrë në shumicën dërmuese detyrat e tyre të reja, pavarësisht një rezistence të vogël në njësi të veçanta. I njeh opozita ata si kryebashkiak?
Opozita nuk do e njohë kurrë 30 qershorin si datë zgjedhjesh, është qartazi një datë antikushtetuese. Zgjedhjet janë organizuar në kushtet e një bande mafioze të rilindjes për të pushtuar bashkitë e vendit. Zgjedhjet lokale do zhvillohen shumë shpejt konform ligjit dhe garës mes palëve.

Zoti Ndoka, opozita u investua për rreth 6 muaj në një betejë të paprecedentë për rrëzimin e qeverisë. Për këtë ajo dogji dhe mandatet e deputetëve. Tani pasi situata e tensionuar ka kaluar dhe qeveria nuk ra, si do ta vlerësonit këtë aksion? A ishte i gabuar lënia e mandateve të deputetëve në atë fazë?

Lënia e mandateve ka qenë vendimi më i guximshëm që ka ndërmarrë një opozitë në këto vite. Jemi larguar nga llumi për t’iu bashkuar kauzës së qytetarëve. Me besoni që ndjehemi më mirë mes qytetarëve, si të papunë njësoj si ata, se sa me mandat dhe ne një Kuvend ku drejton një qeveri e ardhur në pushtet nga droga, blerja e votës dhe krimi. Opozita nuk është mandat, as karrige pushteti, por mision, alternative dhe shprese për qytetaret.

Po mos hyrja në zgjedhjet vendore a ishte një strategji e gabuar e opozitës duke i lëshuar kështu të gjitha bashkitë socialistëve?
Në fakt, nuk kishte zgjedhje, ato u shtynë me dekret nga Presidenti i Republikës në 13 tetor. Por edhe sikur të kishte, opozita nuk mund të futej në zgjedhje me Ramën kryeministër. Kjo vërteton botërisht, se standardet kanë rëndësi për të gjithë, as pushteti i Kuvendit, as pushteti i bashkive. Provë më të fortë, se kjo nuk ka patur ndonjë kauzë në këto 30 vite pluralizëm.

Ka një moment ku opozita gaboi në gjithë këtë betejë?
Nuk ka të pagabueshëm, ne do të shohim me shumë kujdes e përgjegjësi, hapat që kemi hedhur deri këtu dhe axhendën për më tej. Unë besoj shumë se opozita është kthyer në mazhorancë shprese, pikërisht nga kjo rrugë që ndërmori. Kemi fituar qytetarët, kemi humbur pushtetin, do fitojmë standardet dhe do të kthehemi sërish në institucione nëpërmjet votës së lirë. Kjo është rruga me parimore, që një lider dhe opozitë ka ndjekur në pluralizëm.

Cilat do jenë hapat e mëtejshme të betejës opozitare?
Opozita është me qytetarët, me problemet e tyre, me biznesin, me artistët, me studentët, me fermerët, me pensionistët. Opozita po i del për Zot vendit përballë kësaj bande qeverisëse qe i është sulur Teatrit Kombëtar, Unazës se Re, trojeve publike, biznesit dhe kujtdo tjetër, që urdhërohet nga oligarkët dhe krimi. Opozita sot është; gjykatë, polici, shoqëri civile, sindikatë, shpresë dhe alternativë për nesër, përballe një junte/GSH