Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës së ditës së sotme nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi, pasi deputeti demokrat refuzoi të dilte nga salla e parlamentit.

Duke sulmuar kreun e Parlamentit, Basha u shpreh se masha e Ramës, Ruçi ka dy javë që po përpiqet t’i mbyllë gojën opozitës.

Lideri i PD deklaroi para mediave se kreu i Qeverisë po përdor çdo metodë për të mos u përballur me të vërtetat dhe t’i bëjë bisht debatit.

“Ne nuk qeverisemi nga një qeveri e dalë nga vota por qeverisemi nga bandat që e sollën Edi Ramën dhe kabinetin e tij në ato karrige. Nuk ka dëshmi më të qartë se kjo. Nuk ka asnjë arsye Gramoz Ruçi të shkelë rregulloren përveç se ankthit të Edi Ramës për t’u përballur me të vërtetën.

Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë një përsëritje të një parlamenti kukull në duart e krimit dhe mafies dhe kukullave të tij. Ne do të luftojmë dhe do t’i rikthejmë Parlamentin qytetarëve me të gjitha format që opozita ka në dispozicion dhe për këtë kërkojmë aleancë me qytetarët e ndershëm, medias së pa kapur, shoqërisë civile dhe natyrisht aleatëve ndërkombëtar.

Ky është fundi i Parlamentit t’i mbyllësh gojën opozitës. Kemi dy javë që nuk na lejohet debati. Ta zëvendësosh debatin publik me frontin popullor, kjo nuk mund të ndodhë. Asgjësimi i debatit parlamentar do të çojë në krizën më të rrezikshme të demokracisë në 27 vite. Ne duam me çdo kusht ta evitojmë këtë krizë.

Ne duam me çdo kusht që t’i evitojmë Shqipërisë koston e një përplasjeje, por ajo është e pashmangshme në qoftë se Edi Rama dhe masha e tij Gramoz Ruçi një kurs përplasje me aspiratat e shqiptarëve për një vend të lirë nga krimi ku mund të jetohet me taksa të ulëta”, deklaroi Basha.

LEXO EDHE:  Këta që i quan kushërinjtë e mi, drejtësi deri në fund e dënim maksimal, Tahiri i përgjigjet Bashës

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook