Protagonistja e djeshme e “E Diell”, Dalina Buzi erdhi në program me një mision të veçantë, për të gjetur vajzën e gjashtë të serialit “Anabel Hostel”. Nën optikën e producentes dhe autores së njohur, u vendosën kësisoj pesë moderatoret e spektaklit të së dielës në “Top Channel”.

E para që u vendos në vështirësi, ishte bukuroshja nga Kosova, Argjira Spanca, të cilës iu kërkua nga Buzi që të heqë grimin për herë të parë “live” në një program televiziv. Gjira, e pranoi me shumë sportivitet ‘sfidën’ për t’i lënë stafetën e kërkesës së sikletshme koleges Nevina Shtylla.

E ndalon dikush, apo është e pasigurt që nuk e ndan jetën e saj private me ndjekësit, – ishte pyetja për Nevinën, e cila zgjodhi një përgjigje diplomatike pa shumë informacion brenda për themeluesen e “Anabel”.

Debati virtual me gazetarin dhe blogger-in Olti Curri, ishte pyetja që iu bë Fjoralba Ponarit, e cila në përgjigjen e saj tha se nuk dëshiron ta specifikojë rastin, duke qenë se u fol mjaftueshëm për të, por artikuloi duke iu referuar kësaj situate se lapsusi i saj u përdor me qëllim për të përfituar.

Referuar një bashkëpunimi me Alesia Bamin, Buzi e pyeti këtë të fundit se kur do të heqë dorë nga babi dhe të pranojë të bëjë puthjen në një serial apo film, duke qenë se synon të bëhet aktore. E sigurtë në përgjigjen e saj, Bami tha se nuk do të heqë kurrë dorë nga babi dhe se pret një film me shtrirje ndërkombëtare që ta japë puthjen dhe të prezantohet si aktore, profesion për të cilin po studion.

E fundit që u vendos përballë pyetjes së Dalinës, ishte Einxhel Shkira, e cila duhej të përgjigjej për numrin e të dashurave që duhet të ketë një vajzë – nuk ka numër tha Einxhel; – për ‘one night stand’, nëse bëhet nga dëshpërimi apo dëshira dhe për largimet e saj nga punët e mëparshme. “‘One night stand’ bëhet nga dëshira dhe jo dëshpërimi”, – tha Shkira përmes optikës së saj dhe vijoi duke iu përgjigjur pyetjes së fundit duke thënë se ikjet nga puna kanë ndodhur kur gjërat i janë bërë monotone.

Në fund të ‘intervistave të punës’ me më pak pyetje, Dalina Buzi tha se Argjira Spanca do të ishte e zgjedhura e saj për “Anabel Hostel”.