Ish-ministri i Drejtësisë njeherazi avokati Spartak Ngjela ka vijuar sërish sulmet ndaj atyre që i cilëson “politikanë të korruptuar”, duke theksuar se fundi i tyre është afër.

Ngjela shprehet kjo gjë do të realizohet falë reformës së drejtësi të mbështetur nga amerikanët.

Ngjela kujton dhe një shprehje të Jezu Krishtit dhe thotë se politikanët bëjnë të kundërtën e saj dhe po shkojnë drejt shkatërrimit.

Postimi i plotë
“Hyni nga porta e ngushtë; se porta e gjerë dhe e hapur ju çon në shkatërrim”.
Kështu ka thënë Jezusi si porosi mbi 2000 vjet përpara.

Këta të korruptuarit e Shqipërisë që hynë nga porta e gjerë dhe e hapur… kërkonin të gjenin lumturinë me paratë e popullit, dhe gjetën shkatërrimin. Kjo ka ndodhur, dhe tani kanë hyrë në rrugën që vetë hapën pasi poshtëruan shqiptarët.

E pra, pse shqiptarët iu thanë që të shqyenin portat; domethënë drejtësinë shqiptare?
Nuk mund të vijojnë dot, sepse nuk i pranon në partnership politika amerikane.
Nuk i pranon në partnership as politika gjermane, që flet në emër të Bashkimit Europian.
Atëherë, përse duhet t’i pranojnë shqiptarët?

E pra ekuacioni është shumë i thjeshtë: Askush nuk po i rrëzon me dhunën e një revolucioni; dhe për komedinë e tyre, ata vetë, me frikë, sistemuan ligjet që do t’iu konfiskonin pasurinë abuzive dhe do t’i penalizojnë.

Gjithçka do shkojë në një proces gjyqësor. Atëherë pse tremben këta kryeministra e ministra?
Në fakt kjo është një Tallje e madhe e mjeranëve që e menduan jetën politike në pushtet si vjedhje dhe gënjeshtër.

Si ka mundësi që ekspertiza perëndimore dhe gjykatat e pavarura, që janë subjekte vetëm të ligjit, të dënojnë apo të shpronësojnë të pasurit e ndershëm në një vend kapitalist?

Këta qesharakë tani janë brenda kësaj tirade:
Nëse kanë pallate; të gjithë e dinë që i kanë ndërtuar me para të vjedhura.
Nëse kanë mijra hektarë tokë; kush është ai që nuk e kupton që i kanë të grabitura me forcën ose më hilenë e shtetit që kanë drejtuar?
Nëse kanë miliona nëpër banka të huaja; do t’ua konfiskojnë se nuk ka mundësi praktike që kjo pasuri të jetë e vënë nga fitimet e kapitalit të tyre; kur dihet se të gjithë këta ishin njerëz që nuk kishin asgjë që mund të quhej e shtrenjtë, kur hipën në postin e lartë.
Ku qëndron arbitrarizmi këtu?

LEXO EDHE:  Ngjela: Korrupsioni po pengon hapjen e negociatave me BE-në, studentët janë e vetmja shpresë!

Pyetja bëhet që, një reformë si kjo, e dobëson apo i jep shëndet shoqërisë shqiptare?
Sigurisht që i jep shëndet. Në fakt kjo reformë drastike do t’iu kthejë shqiptarëve shëndetin që iu kanë marrë me përdhunë.

Por këta kryeministra e ministra të korruptuar; deputetë dhe drejtorë të mëdhenj gjithashtu, janë kaq në hall sa iu shkon mendja që me një turmë njerëzish të blerë apo të gënjyer të shkatërrojnë Shqipërinë e vetë t’ia mbathin për në vendet e terrorit dhe të dinastive kriminale.

Po si nuk menduat një minutë për fatin tuaj por vetëm për paratë dhe gjënë e vjedhur nga shqiptarët, o mjeranë!

Të gjithë bashkë kanë rënë në iluzionizëm, se i gënjen mendja që me Rusinë apo Beogradin do destabilizojnë Shqipërinë që të mbyllet procesi shqiptar në Ballkan; edhe për Kosovën edhe për të gjithë shqiptarët që po kërkojnë të drejtat në tokat e pushtuara. Dhe këta të bëjnë festa makabre me paratë e grabitura nga shqiptarët.

Më të liq se këta që janë sot në abuzim, nuk janë parë në Shqipëri. Në fakt këta janë rrjedhojë direkte e ligësisë Hoxha; por deri në lartësi që kurrë nuk u arritën nga aradha historike e korrupsionit njëqind vjeçar shqiptar.
Por janë të humbur.
Shqiptarët sot janë në aleancë historike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila në këtë kohë që korrupsioni shqiptar kërkon destabilizimin e Shqipërisë; e ka mbyllur kapitullin e krimit në Shqipëri.

Pse, vërtet mendojnë se do të mundin Amerikën në Shqipëri këtë lapaculë, në kohën kur ajo është në forcën maksimale të saj në këtë qytetërim; të cilit dihet se ajo vetë i jep frymën moderne të lirisë?

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook