Ka nisur prej mëngjesit të sotëm shpërndarja e materialeve zgjedhore nëpër 90 KZAZ-të në 61 bashkitë e vendit. Ndërkohë një ditë më parë policia deklaroi se janë trajnuar 7.779 punonjës të Policisë që do të angazhohen me detyra gjatë zgjedhjeve, sipas niveleve të menaxhimit policor, deri tek niveli bazë i veprimit policor.

Efektivët do të jenë të angazhuar për sigurimin e 5.417 Qendrave të Votimit, 90 KZAZ dhe 90 VNV.

Shpërndahen materialet zgjedhore në Fier, kreu i KZAZ: Procesi i qetë
Ka nisur shpërndarja e bazës materiale në dy KZAZ në Fier, ato me Nr. 57 dhe 58. Baza materiale ka nisur të shpërndahet drejt qendrave të votimit në orën 10:00 të paradites së kësaj të shtune.
Kutite brenda të cilave gjenden fletët e votimit dhe baza materiale për procesin e votimit në ditën e 30 qershorit, u janë shpërndarë komisionerëve të Qendrave të Votimit në Fier dhe Njësitë Administrative.

Sipas kreut të KZAZ me nr. 58 në Fier Niko Neco procesi i shpërndarjes së bazës materiale nuk ka pasur probleme. Kutitë tërhiqen nga komisionerët të shoqëruar edhe nga punonjës të policisë, ndërsa ky proces pritet të përfundojë brenda pasdites së sotme.
Në KZAZ-në me nr. 58 në Fier do të administrohet procesi i numërimit të votave për 108 qendra votimi të bashkisë Fier dhe njësisë Administrative Mbrostar, ndërsa në KZAZ me numër 57, do të numërohen 118 qendrat e tjera të votimit.

Klos, nis shpërndarja e materialeve zgjedhore në qendrat e votimit
Ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore në KZAZ 17 në Bashkinë e Klosit. Situata duket e qetë dhe nuk ka asnjë mbështetës të opozitës në tubim.
Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor 17, po bën ndarjen e materialeve të cilat do të transportohen me mjete të ushtrisë në shoqërimin e forcave të policisë.

Po ashtu pranë KZAZ 17 është stacionuar edhe një furgon me forca të ndërhyrjes së shpejtë. Përfaqësues të KZAZ thanë se shpërndarja e materialeve pritet të bëhet deri në orën 15. Qendrat e votimeve do të jenë aty ku kanë qenë në zgjedhjet e kaluara, pra, pranë shkollave.

Elbasan, nis në mesditë shpërndarja e materialeve zgjedhore
Në Elbasan nisi rreth mesditës shpërndarja e materialeve zgjedhore për të gjitha qendrat e votimit që do zhvillohen në 30 qershor. Raportohet se deri tani nuk ka pasur incidente.

Materialet po tërhiqen nga kryetaret e Njësisë Administrative të shoqëruar nga punonjësit e policisë. Përfaqësues të OSBE ndodhen në Elbasan për të ndjekur procesin e ndarjes së materialeve zgjedhore.

Shpërndahen materialet zgjedhore në Kurbin
Edhe në Kurbin KZAZ-të kanë bërë shpërndarjen e materialeve zgjedhore për procesin e ditës së nesërme nëpër qendrat e votimit.

Shpërndahen materialet zgjedhore edhe në Lushnjë
Dy KZAZ-të me numër 54 dhe 55 në Lushnje kanë nisur shpërndarjen materialeve zgjedhore. Deri tani raportohet se procesi ka qenë i qetë ndërsa në vëzhgim kanë qenë gjatë gjithë kohës forcat e policisë.

Kukës, materialet zgjedhore shpërndahen me mjete të ushtrisë
Në Kukës materialet zgjedhore janë shpërndarë me mjeteve të ushtrisë, të shoqëruara nga policia. Pritet që shpërndarja e materialeve të nisë edhe në Has e Tropojë.

Shpërndahen materialet në Korçë, Maliq e Kolonjë
Ka filluar fillon shpërndarja e materialeve zgjedhore në qendrat e votimit në Korçë, Maliq e Kolonjë. Procesi sipas gazetares Lorena Kodra po vijon normalisht dhe situata është e qetë.
Po kështu mësohet se vijon shpërndarja e fletëve të votimit në Devoll. Ka përfunduar shpërndarja e tyre në komunën Miras. Procesi vijon normalisht.

MASAT E POLICISË
Në kuadër të masave të deritanishme të marra nga Policia e Shtetit për garantimin dhe mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor në të gjitha fazat e tij, Policia e Shtetit për të garantuar një proces votimi sa më të qetë për votuesit ka marrë një sërë masash shtesë, masa këto që do reflektohen më tepër duke filluar prej ditës së shtunë e deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Nga strukturat qendrore dhe vendore të Policisë, po ndiqen me kujdes masat e planifikuara sipas fazave për sigurimin e rendit publik.
Policia e Shtetit, me një Plan Masash të detajuar garantoi me sukses mbarëvajtjen e çdo aktiviteti elektoral të zhvilluar gjatë fushatës, si dhe do të garantojë ruajtjen e qendrave të votimit, shoqërimin e materialeve zgjedhore dhe sigurimin e vendeve të numërimit të votave, gjatë këtij procesi.

Janë trajnuar 7.779 punonjës të Policisë që do të angazhohen me detyra gjatë zgjedhjeve, sipas niveleve të menaxhimit policor, deri tek niveli bazë i veprimit policor.
Për sigurimin e 5.417 Qendrave të Votimit, 90 KZAZ dhe 90 VNV, janë bërë përllogaritjet të punonjësve të Policisë, për automjete, pajisje, komunikim, ushqim etj.

Në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, në datën 15 Qershor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgoi në KQZ, në afatin e përcaktuar:
– Listën me 5.876 punonjës të policisë që do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë.
– Listën me 281 automjete civile, që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë.

Nga strukturat e disa njësive policore në Tiranë, Drejtorive të Kufirit dhe Migracionit dhe struktura të tjera, do të dërgohen 1.450 punonjës policie në funksion të procesit zgjedhor në disa Drejtori Vendore të Policisë; si dhe do të vihen në dispozicion 543 automjete.

Është përgatitur dhe miratuar Urdhri i Përbashkët i Ministrit Brendshëm dhe Ministrit të Mbrojtjes, si dhe Urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për marrjen në ruajtje të 84 objekteve të rëndësishme që sigurohen me punonjës policie, nga forcat “Komando”.
280 punonjës të Policisë të objekteve, do të angazhohen për sigurimin e objekteve zgjedhore dhe do të marrin detyra për procesin zgjedhor.

Nga strukturat policore në bashkëpunim me Prokuroritë e rretheve gjyqësore janë trajtuar dhe po hetohen veprat penale që lidhen me procesin zgjedhor, kryesisht sulme mbi KZAZ dhe punonjësit e policisë të planizuar pranë këtyre KZAZ-ve, djegie të materialeve zgjedhore, vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.

Me Prezencën e OSCE në Shqipëri, por edhe me disa institucione shqiptare si KQZ dhe Prokurorinë e Përgjithshme kemi kryer trajnimet e punonjësve të Policisë për procesin zgjedhor, të cilat kanë kontribuar edhe me lektorë të fushës.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, na ka mbështetur në procesin e trajnimeve, por edhe për financimin e “Librit të Xhepit”, e cila është shpërndarë në të gjithë punonjësit e policisë.
Lidhur me vëzhguesit afatgjatë të OSBE/ODIHR, është siguruar e organizuar puna në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, që ata të kenë akses dhe të monitorojnë masat lidhur me procesin zgjedhor.

Janë përcaktuar koordinatorët e Policisë së Shtetit me institucionet ndërkombëtare, nëpunësi ndërlidhës i saj me KQZ, si dhe plotësimi i detyrimeve në kuadër të Task Forcës së krijuar në Ministrinë e Brendshme dhe në Kryeministri për zgjedhjet, duke bashkëpunuar ngushtë me këto institucione.

Lidhur me detyrat në këtë fazë të procesit zgjedhor Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, u ka dërguar një telegram me udhëzime drejtuesve qendrorë e vendorë të Policisë së Shtetit, nëpërmjet të cilit ka kërkuar angazhim maksimal dhe profesional të të gjitha strukturave policore në bazë e zbatim të ligjit për Policinë e Shtetit, Kodin Zgjedhor dhe aktet e tjera normative, duke kryer veprime të shpejta dhe profesionale në bashkëpunim me Prokurorinë në rastet kur ka kallëzime penale që mund të bëhen nga subjekte të ndryshëm, si dhe të ruhet gjakftohtësia në komunikim dhe etika policore.

Policia deklaroi dje se çdo organizim dhe zhvillim i tubimeve dhe protestave në datat 29 dhe 30 Qershor 2019, data që korrespondojnë me periudhën e “heshtjes zgjedhore”, janë të kundërligjshme dhe të dënueshme nga ligji penal, pasi konsiderohen vepra penale të cilat prekin dhe cenojnë të drejtat kushtetuese dhe ligjore të zgjedhësve apo personave për të ushtruar të drejtën e votës, të parashikuara në Kreun e X-të të Kodit Penal. Sipas dispozitave të këtij Kodi, këto vepra penale kanë si masë dënimi atë me burgim nga një deri në pesë vjet.

Gjithashtu, në Vendimin e KQZ-së me Nr. 498 datë 24.06.2017 përcaktohet se gjatë ditës së votimit nga momenti i hapjes së qendrave të votimit në oren 07:00 deri në momentin e mbylljes së tyre në orën 19:00, ndalohet qendrimi, grumbullimi apo çdo veprimtari tjetër e personave të cilët nuk janë parashikuar nga neni 110 i Kodit Zgjedhor, në objektet ku janë vendosur qendrat e votimit (oborret, korridoret, apo përpara hyrjes në objekt ku janë vendosur qendrat e votimit).

Policia e Shtetit në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe Udhëzimin nr. 7, datë 23.03.2009 “Për detyrat e Policisë së Shtetit dhe forcave të ushtrisë në zgjedhje”, i ndryshuar, ka planifikuar masat për ruajtjen e sigurimin e objekteve zgjedhore, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në territor, ndërhyrjen për rivendosjen e rendit publik etj., sipas kërkesave ligjore dhe procedurave standarde të miratuara.