Ushtria izraelite deklaroi se forcat iraniane kanë lëshuar raketa drejt pozicioneve të saj në zonën e pushtuar të Ultësirës së Golanit.

Izraeli bëri me dije se rreth 20 raketa u lëshuan nga roja revolucionare iraniane mëngjesin e sotëm.

Mësohet se disa nga raketat u rrëzuar në ajër, ndërsa disa të tjera kanë goditur pozicionet e ushtrisë izraelite, por pa shkaktuar viktima.

Në fillim të javës, Izraeli tha se kishte vënë re aktivitet të çrregullt të ushtrisë iraniane në Siri. Për këtë arsye, forcat izraelite u vunë në gatishmëri në kufi dhe për herë të parë që prej fillimit të Luftës Civile në Siri, Izraeli hapi vendstrehimet për civilët.

Forca e Mbrojtjes e Izraelit tha se, në përgjigje, ka qëlluar dhjetëra objekte iraniane me sulme ajrore duke shkatërruar depo armësh, platforma raketash, sisteme radarësh dhe baza inteligjence.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook