Sipas një studimi të fundit të kryer në Ultimate Software (një kompani amerikane e specializuar në krijimin e software-ve të integruar për zhvillimin e programeve kryesisht në sektorin e Burimeve Njerëzore) u arrit në përfundimin se 56% e punonjësve të anketuar do të zgjidhnin një punë me një drejtues të mirë se sa një rritje page me një drejtues të keq.

Mund t’ju tingëllojë befasuese, por ja që rezultoi të ishte e vërtetë. Studimi nuk u ndal me aq, por analizoi edhe shkaqet…

Pse një rezultat i tillë? Thjesht sepse menaxhimi është një element i rëndësishëm, madje një prej më të rëndësishmëve, sepse jo gjithkush mund të jetë një menaxher i mirë. Marrëdhëniet drejtues-punonjës janë shumë të rëndësishme, sepse një menaxher i mirë mund ta bëjë një punë të keqe të përballueshme kurse një menaxher i keq, edhe punën më të thjeshtë e bën të papërballueshme dhe stresuese.

Duke marrë parasysh faktin sesa të rëndësishme janë paratë për punonjësit, rezultati ku 56% e punonjësve do të zgjidhnin një drejtues të mirë sesa një rritje page, është vërtet befasues.

Pjesa më e madhe e kompanive i përzgjedhin drejtuesit e tyre në disa cilësi të gabuara, për shembull aftësia që ata kanë në vendosjen e autoritetit në punë sesa aftësia që ata mund të kenë për të krijuar një ambient pozitiv pune, ku të gjithë të kenë dëshirë që të vijnë në punë dhe të mos vijnë vetëm sepse janë të detyruar.

Një shprehje e vjetër thotë “Njerëzit largohen nga një punë për shkak të një shefi të keq, jo për shkak të kompanisë”. Mbase ajo është një ekzagjerim i lehtë, por mbart një të vërtetë. Menaxherët të cilët nuk dinë që të krijojnë një ambient pune pozitiv për punonjësit e tyre, e gjejnë veten me një dizavantazh të madh në lojën e ashpër të arritjes së “rezultateve pozitive” në fund të një projekti. Tek e fundit, një menaxhim i suksesshëm ka të bëjë vetëm me arritjen e rezultateve pozitive dhe produktive. Një menaxhim i mirë nuk është asgjë tjetër, përveçse arritjes së rezultateve pozitive, ai është gjithmonë i orientuar drejt tyre.

LEXO EDHE:  Zgjidh një lule dhe mëso se çfarë shpirti keni

Po nga anketimi dolën edhe disa rezultate të tjera. Menaxhimi është një prej detyrave më të vështira. Rreth 45% e drejtuesve shprehen se nuk janë trajnuar asnjëherë në fushën e menaxhimit. Kjo nuk është për t’u habitur, sepse shumë kompani i kanë larguar programe të tilla trajnimi për të ulur shpenzimet e tyre. Por kjo mbart me vete edhe një faktor negativ, ajo kultivon besimin se të gjithë mund të bëhen menaxherë, kur në fakt kjo nuk është aspak e vërtetë.

Sipas rezultateve të anketës së mësipërme, 80% e menaxherëve thonë se janë transparentë me vendimet që marrin dhe 70% e tyre shprehen se i motivojnë punonjësit.

Ndërsa vetëm 16% e menaxherëve shprehen dhe e pranojnë se edhe ata mund të bëjnë gabime. E thënë me pak fjalë, në botën e menaxhimit ka një hendek të madh midis eksperiencës dhe realitetit, shkruan monitor. Menaxherët priren të mendojnë se po bëjnë më të mirën, ndërsa punonjësit mendojnë diçka krejt të kundërt. Kjo është ndoshta një nga arsyet kryesore se pse menaxherët e mirë janë shumë të rrallë për t’u gjetur dhe shumë të vlerësuar nga kompani të ndryshme.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook