Shumë pak dinë që një kopje e Monna Lisa, e pikturuar nga një student i Da Vincit, ndodhet e ekspozuar në muzeun e famshëm spanjoll të Prado-s. Ndërkohë, askush nuk ishte në dijeni se një kopje e tretë, i një autori misterioz por shumë i afërt me mjeshtrin, ndodhej prej dekadash në një dhomë të Parlamentit italian. E futur në një kornizë të gabuar, të shekullit të XVIII, piktura ka qenë e cilësuar si një fallco moderne, dhe është lënë në harresë.

Por piktura e “Monna Lisës romane”, siç e quajnë studiuesit, do të jetë një nga protagonistet e ekspozitës së madhe që po organizohet në Romë për nder të 500 vjetorit të vdekjes së Leonardos.

Sipas tyre, në periudhën rreth 1513-17 Leonardo ndodhej në Romë ku kishte marrë me vete portretin e famshëm, duke e perfeksionuar siç e kishte zakon. Në atelienë ku punonte, i lejonte një nxënësi ende misterioz të kryente një kopje, teksa ai punonte tek origjinali.

Ajo kopje mund të jetë pikërisht ky version i gjetur së fundmi. Ngjyrat janë më të zbehta, ashtu si buzëqeshja e vajzës, por teknika është shumë e ngjashme, dhe për disa madje mjeshtri, në perfeksionimin e tij, mund të ketë ndërhyrë me duart e veta për të rregulluar kopjen e nxënësit e tij.