Kreu i qeverisë, Edi Rama, nga takimi i sotëm me banorë të Malësisë së Madhe, nuk ka lënë pa përmendur protestën e demokratëve, që tentuan ta pengonin teksa ishte në rrugë e sipër, duke akuzuar për këtë liderët sipas tij, që pasi futën në qorrsokak partitë e tyre, tentojnë me kot ta bëjnë këtë me Shqipërinë.

Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, nuk kanë munguar si cdoherë batutat. Rama ka kujtuar debatet e shumta që bën me deputetin socialist Paulin Sterkaj, i cili nuk resht, sipas tij, së kërkuari investime për zonën.

“Paulini më bëri vërejtje që kam bërë mungesa, mbase ka të drejtë, por sikur të mblidhni tërë vizitat e kryeministrave bashkë, kanë bërë më pak se c’kam bërë unë si kryeministër deri tani. Tani, unë nuk kam nevojë ti bëj komplimente Paulinit, kemi një histori të gjata para, ky ishte në sport individual o ma rrafe o të rrafa, zakonisht i rrifte, e dilte kampion. Unë kam qenë në një tjetër, me atë skuadër nuk dolëm asnjëherë kampion, por nuk dolëm nga fusha të thoshim nxirrini edhe këta nga fusha dhe pastaj të dalim ne kampion. Kur dëgjoj ata që thonë s’ka debate në PS, u them, sikur vetëm debatet e mia me Paulinin të jepeshin në TV do kishte më shumë se ka pas PD-ja që kur është themeluar, por janë debate për PS, për investime, për sheshin e Koplikut, Bajzës, për Tamarën, për t’i çuar investimet deri në Vermosh. Tani, Paulini është në avantazh se ai vetëm kërkon”- deklaroi mes te tjerash Rama.