Një titull borxhi që jep një interes fiks apo të luhatshëm dhe që ka afat më shumë se një vit. Aktualisht Banka e Shqipërisë emeton për llogari të qeverisë shqiptare obligacione dy, tre, pesë, shtatë dhe dhjetëvjeçare. Obligacionet i japin të drejtë blerësit të marrë interesin dy herë në vit pasi ka depozituar shumën e rënë dakord në një nga katër banka aktualisht të licencuara për të ndërmjetësuar në këtë operacion.

Interesat e këtij investimi aktualisht (viti 2017) variojnë nga 2 për qind për obligacionet dyvjeçare në 7 për qind për obligacionet dhjetëvjeçare. Shuma minimale e pranuar është 3 milionë lekë.

Obligacionet e qeverisë shqiptare emetohen në shumicën dërrmuese në lekë, por në disa raste janë emetuar në euro. Interesi i obligacioneve në euro është shumë më i ulët se sa ato në lekë. (Në vitin 2017 qe 0.8 për qind).

Qytetarët mund të blejnë obligacione pa pasur nevojë të konkurrojnë, me kushtin që kërkesa të mos jetë më e lartë se sa 30 milionë lekë. Aktualisht obligacioni dhjetëvjeçar është investimi financiar me normën më të lartë të kthimit në Shqipëri.

Bankat e licencuara për ndërmjetësim zakonisht nuk kanë interes të reklamojnë këtë mundësi investimi, pasi modeli i tyre i biznesit është marrja e depozitave me interesa shumë më të ulëta nga qytetarët dhe përdorimi i këtyre depozitave për blerjen e obligacioneve. Për këtë arsye, mundësia e blerjes së obligacioneve nuk reklamohet. Kalendari i emetimit të obligacioneve publikohet nga Ministria e Financave një herë në tre muaj.

LEXO EDHE:  Kursi i këmbimit valutor, e shtunë 19 maj 2018

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook