Ballina Kryesore ANALIZA/ “Antivlerat që shiten si vlera dhe kriza e shoqërisë shqiptare”, një...

ANALIZA/ “Antivlerat që shiten si vlera dhe kriza e shoqërisë shqiptare”, një shkrim që s’duhet humbur

Opinionisti dhe gazetari, Erion Muça ka bërë një analizë lidhur me një çështje tepër të rëndësishme, të cilën e hasim çdo ditë, në zhargonin e jetës, atë të promovimit të anti-vlerave, si vlera.

Ai përqëndrohet tek kriza e shoqërisë shqiptare, duke filluar nga edukimi parësor, tek perceptimi i vlerave, si dhe ndikimi i medias, politikës, shoqërisë, studimeve, në jetën e një individi.

Nga Erion Muça
Shoqëria shqiptare e vonuar në përballjen me modernizimin e zhvilluar po keqpercepton dhe keqpërqafon, tanimë në shumë aspekte, antivlerat, të cilat i trajton dhe i sheh fatkeqësisht si vlera jetike.

Arsyet apo shkaqet e këtij realiteti të shoqërisë janë injoranca, përqafimi i gabuar i pozitivitetit të perëndimit, e kaluara komuniste, ku çdokush kishte një mendim dhe ide mbi çdo gjë, mentaliteti i thashethemnajave dhe gojëligave, që na karakterizon dhe pëlqen aq shumë.

Mungesa e iniciativave dhe këmbënguljes për të shkuar dhe kapërcyer tej kufijve, duke sfiduar atë që kemi apo atë që njohim dhe mos mjaftohemi me dijen por të hulumtojmë për të zhvilluar veten nëpërmjet saj.

Edukimi parësor dhe i rëndësishëm për shqiptarët tanimë është media dhe interneti. Sigurisht do duhet të ecim në këtë linjë por kemi harruar dhe sakrifikuar leximin e librave. Burimet e informacionit i përdorim thjesht për të mbushur kohën dhe jo për të zhvilluar informacionin e vlefshëm, kur ai është i saktë dhe i sigurt, duke e përpunuar atë, për ta përdorur në të mirë të vetes dhe të shoqërisë.

Në fakt, nga edukata shkollore dhe e familjes, thuhet se zotërojmë disa vlera unike si komb, si edhe principe e vlera personale si shqiptarë: tradita, mikpritja, lashtësia e historisë, besa apo fjala e dhënë, respekti, humanizmi, vizioni etj. Pyetja ime sot është: a i njohim këto vlera në thelbin e tyre? Nëse i njohim a i respektojmë midis nesh? Dyshoj, pasi egërsia e tregut të lirë të njohur vonë, ku pasurimin e shohim në kurriz të tjetrit, na ka bërë vrasës të vlerave. Konkurrenca e pandershme, qasja e kollajtë ndaj informalitetit, na ka bërë që të shohim përtej ndershmërisë, duke e ngritur në fron shprehjen: “Po nuk pate lekë je i vdekur”.

Stereotipi i të parit të politikës, medias dhe veprimtarive ilegale, si trampolina drejt pasurimit të shpejtë, na i ka errur sytë aq sa po shohim me skepticizëm absolut rritjen në profesion dhe ne karrierë me stade dhe sipas meritokracisë, në të gjitha aspektet. Të orientuar dhe të trullosur nga fama apo emri i një marke, “brand-i” apo identiteti të njohur personi, produkti apo shërbimi, jemi bërë viktima të PR dhe marketingut global.

Ne tanimë nuk zgjedhim mbi bazë të vlerave dhe kualitetit, por mbi bazë të nevojave konsumatore. Si shoqëri nuk promovojmë të kualifikuarit, të aftët apo profesionistët, por u japim mundësi të paaftëve dhe kleptomanëve të ngjiten në nivele të larta, duke na drejtuar drejt “gjoja” Europës. Në këtë fazë janë ndryshuar raportet.

I afti nuk shfaq dot profesionalizmin dhe sfumohet, ndërsa i paafti rritet në karrierë duke u bërë edhe i famshëm. Gjithë kjo tablo kthehet në një antivlerë të perceptuar dhe konsideruar si vlerë dhe shembull për t’u ndjekur.

Si çdo profil edhe në media, sidomos si pjesë e marketingut të medias, reklamohen çdo ditë të përziera me rubrika në interes të njerëzve, produkte dhe shërbime jocilësore, ku trajtohen me një kujdes specifik dhe shumë të veçantë, thua si të ishin orientuesit reale të tregut dhe kategorisë ku bëjnë pjesë.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook